“Standard & Poor’s” konfirmon vlerësimin e Shqipërisë në “BB”

Agjencia e vlerësimit të kreditit “Standard & Poor’s Global Ratings”, në raportin e saj analitik të publikuar më 21 Shtator 2026, ka rikonfirmuar vlerësimin afatgjatë të kreditit sovran të Shqipërisë në “BB”, duke ruajtur gjithashtu një perspektivë “të qëndrueshme”.
Agjencia thekson se ekonomia shqiptare ka shënuar një rritje të ndjeshme të të ardhurave për frymë gjatë viteve të fundit, ndërsa borxhi i qeverisë dhe borxhi i jashtëm në tërësi janë në trend rënës.
Agjencia vlerëson se ekonomia shqiptare mbetet rezistente dhe se ka treguar qëndrueshmëri ndaj goditjeve të njëpasnjëshme në vitet e fundit, duke u rritur mesatarisht me 4% në vit në terma realë gjatë periudhës 2022–2025.
S&P parashikon një rritje të PBB-së reale prej 3.4% për vitin 2026, pak më ulët se 3.7% e vitit 2025 dhe mesatarisht 3% në vit për periudhën 2027–2029, e mbështetur nga eksportet e shërbimeve, konsumi privat dhe investimet.
Pozicioni i jashtëm është forcuar gjatë viteve të fundit, kryesisht falë performancës së fortë të turizmit, ndërsa deficitet e llogarisë korente janë ngushtuar ndjeshëm gjatë periudhës 2023–2025.
Në aspektin e financave publike, S&P e konsideron pozicionin fiskal të Shqipërisë si të fortë krahasimisht me tregjet në zhvillim dhe me një kornizë të kujdeshme fiskale. Agjencia parashikon një deficit buxhetor prej 2% të PBB-së në vitin 2026, nën limitin prej 2.3% të autoriteteve shqiptare dhe deficit mesatarisht rreth 2% të PBB-së, deri në vitin 2029.
S&P i konsideron të arritshme objektivat e rregullave fiskale të përcaktuar në Ligjin Organik të Buxhetit dhe vëren se Shqipëria ka regjistruar suficit primar që nga viti 2023. Borxhi publik parashikohet të zbresë në 50.5% të PBB-së në fund të vitit 2029, nga 52.9% në vitin 2025.
Një zhvillim pozitiv i theksuar nga S&P është procesi i anëtarësimit në BE, ku agjencia vëren progresin në reformën në drejtësi dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe hapjen e të gjashtë grupkapitujve negociues, që shënon një gur kilometrik të rëndësishëm në bisedimet e anëtarësimit.
Rezervat valutore të Shqipërisë janë rritur në 8.1 miliardë euro (27% e PBB-së) në fund të korrikut 2026, të mbështetura nga prurjet e forta eksporteve të shërbimeve, kryesisht turizmit, si dhe të flukseve hyrëse të Investimeve të Huaja Direkte, të cilat i kanë mbuluar deficitet e llogarisë korente.
Sektori bankar mbetet likuid, i mirëkapitalizuar dhe me përfitueshmëri të qëndrueshme. Kreditë e këqija ishin 4% në fund të korrikut 2026, ndjeshëm nën nivelin prej 11% para pandemisë.
Vlerësimi i S&P është një tregues i qartë i progresit të vazhdueshëm të Shqipërisë dhe një sinjal pozitiv për investitorët ndërkombëtarë, duke reflektuar qëndrueshmërinë e ekonomisë, politikën e matur fiskale dhe forcimin e pozicionit të jashtëm të vendit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



