`Liria Ka Emër` paralajmëron marshin `Jo në emrin tim më 1 tetor

Kosovë | 2 orë më parë

Platforma qytetare “Liria Ka Emër” ka kërkuar angazhim dhe koordinim të institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Përfaqësuesi i platformës, Ismail Tasholli, u ka bërë thirrje institucioneve, spektrit politik, diplomatëve, shoqërisë civile, ekspertëve dhe mërgatës që të angazhohen në mënyrë të koordinuar në këtë proces.

Ai ka kërkuar që institucionet e Kosovës të bëjnë të qartë planin dhe strategjinë për mbështetjen juridike dhe financiare të ish-krerëve të UÇK-së.

“Qeveria duhet të na tregojë qartë: Cili është plani? Cila është strategjia shtetërore? Çfarë mbështetjeje juridike dhe financiare do të ofrohet?”, tha Tasholli.

Ai kërkoi gjithashtu që të mblidhen së bashku Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Shqipërisë, me një pikë të rendit të ditës për mbështetjen institucionale dhe sigurimin e financimit për mbrojtjen juridike.

Ndërkaq, përfaqësuesja tjetër e “Liria Ka Emër”, Eliza Hoxha, njoftoi se më 1 tetor do të organizohet marshimi “JO NË EMRIN TIM”, në mbështetje të Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

Hoxha tha se data është zgjedhur për shkak të protestës studentore të 1 tetorit 1997 dhe bëri të ditur se më 10 tetor thirrja do të vazhdojë edhe në Bruksel, së bashku me mërgatën.

Platforma ka njoftuar gjithashtu fillimin e një peticioni qytetar me moton “JO NË EMRIN TIM”, i cili, sipas tyre, do të dërgohet simbolikisht në Bruksel, Strasburg dhe Hagë.

“Qeverisë i kërkojmë plan. Institucioneve u kërkojmë koordinim. Partive politike u kërkojmë bashkëpunim”, tha Hoxha, duke theksuar se dallimet politike nuk duhet të pengojnë koordinimin për çështjet që platforma i konsideron me interes shtetëror.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme