Arrestohet babai i Meghan Markle në SHBA, akuzohet për posedim të materialeve të abuzimit seksual ndaj të miturve

Botë | 1 minutë më parë

Thomas Markle, babai i Dukeshës së Sussex, Meghan Markle, është arrestuar në Florida nga FBI nën dyshimin për posedim të materialeve që dokumentojnë abuzimin seksual ndaj fëmijëve.

Lajmi është konfirmuar nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, sipas të cilit 82-vjeçari dyshohet se kishte ruajtur fotografi seksualisht eksplicite të vetes me vajza të mitura në dy ambiente magazinimi në zonën e Los Anxhelosit, të cilat i kishte marrë me qira për gati dy dekada.

Sipas hetuesve federalë, gjatë kontrolleve janë sekuestruar rreth 78 materiale që dyshohet se përmbajnë materiale të abuzimit seksual ndaj fëmijëve.

Akuzat fillimisht u bënë publike nga djali i Thomas Markle, i cili pretendoi se kishte zbuluar imazhe të pahijshme të fëmijëve të mitur në kuti magazinimi dhe pajisje kompjuterike në banesën e të atit në Filipine. Ai tha se kishte raportuar zbulimin tek autoritetet filipinase dhe ato amerikane.

Thomas Markle i ka mohuar me forcë akuzat, duke deklaruar se ishte i tronditur dhe i lënduar nga pretendimet e të birit. Ai ka pretenduar gjithashtu se pajisjet kompjuterike nuk kishin qenë më në posedimin e tij që prej largimit nga Meksika në vitin 2025.

Ndërkohë, FBI kishte konfirmuar më herët se ishte në dijeni të akuzave dhe se do të bashkëpunonte me autoritetet filipinase, duke hetuar gjithashtu çdo shkelje të mundshme të ligjeve federale amerikane.

Ndërkohë, një zëdhënës i Meghan Markle tha për mediat se Dukesha nuk kishte një koment në këtë moment lidhur me arrestimin e të atit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme