Preç Zogaj: Vendimi i Hagës është betejë ligjore, kërkon konsensus të gjerë politik

Kosovë | 1 orë më parë

Analisti dhe publicisti Preç Zogaj, i ftuar në emisionin “Trialog” në RTSH-24 me moderatoren Alba Alishani, komentoi vendimin e Gjykatës së Hagës për ish-drejtuesit e UÇK-së, duke e cilësuar si një moment që kërkon përgjegjësi dhe konsensus politik.

Kjo që ka ndodhur në Kosovë është një ngjarje që apelon për konsensus të gjerë nga të gjitha palët, pra një konsensus që ne bashkohemi me një qëndrim të përbashkët, qoftë për të mbështetur këtë nismë ligjore që ka marrë në rastin konkret PDK, duke parë dhe konform legjislacionit. Nuk besoj se do të mbetet në një nismë me qëllime propagandistike, pra ajo duhet të jetë serioze,” u shpreh Zogaj.

Ai shtoi se përtej debatit politik, çështja është e natyrës juridike dhe duhet trajtuar si e tillë.

Mua më duket se sot, madje edhe djali i Hashim Thaçit ka një gjë racionale; kjo është një betejë ligjore së pari. Politikanët në Kosovë, por edhe këtu në Shqipëri, duke transferuar problemet e tyre që kanë vetë me drejtësinë, i çojnë dhe në Kosovë.”

Zogaj nuk e përjashtoi mundësinë e gabimeve në vendimet e gjykatës, por theksoi se sistemi i drejtësisë është i ndërtuar me shkallë që korrigjojnë njëra-tjetrën.

“Unë mund ta mendoj se gjykata ka gabuar në vendimin që ka dhënë apo e ka ekzagjeruar vendimin që ka dhënë. Ndaj sistemi i drejtësisë është i ndërtuar me shkallë, që një shkallë mund të gabojë dhe një shkallë tjetër eliminon gabimin e një shkalle tjetër. Pra betejat janë ligjore.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme