“Akuza të rënda ndaj ish-drejtoreshës së SHISH”- Zogaj: SPAK të ndalë rrjedhjen e informacioneve që synojnë dekreditimin e personit nën hetim
Në lidhje me masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe “pezullim nga detyra” të ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror, të ekzekutuara mbrëmjen e së martës, analisti Preç Zogaj ka reaguar në emisionin “Trialog”, duke e cilësuar rastin si të pashembullt dhe me pasoja të rënda për sigurinë kombëtare.
Zogaj theksoi se akuzat ndaj ish-drejtoreshës së SHISH janë të rënda, pasi lidhen drejtpërdrejt me kreun e një institucioni që ka për detyrë të mbrojë sigurinë kombëtare.
“Janë dy vepra penale shumë të rënda nga vetë kreu i SHISH, i cili duhej të ishte pararojë e sigurisë kombëtare. Madje ajo është e veshur me mitin se ky institucion mbron edhe pa e parë kush. Këtu kjo është e rëndë, sepse jo vetëm që nuk është në rolin që i kërkon ligji, por është në rolin e kundërt, duke mbrojtur një person në kërkim. Është e pashembullt kjo,” – u shpreh Zogaj.
Ai shtoi se ish-drejtoresha ka komunikuar mbi 70 herë me një person të shpallur në kërkim, ndërkohë që policia dhe SPAK e kërkonin.
“E kërkon policia, e kërkon SPAK, ndërkohë që komunikon me kreun e institucionit që presupuzohej të ishte më i informuar,” – tha analisti.
Duke u ndalur tek publikimi i të dhënave nga dosja hetimore, Zogaj kritikoi rrjedhjen e informacioneve të pjesshme që, sipas tij, synojnë dekreditimin e personit nën hetim.
“SPAK duhet të shkëpusë rrjedhjen e informacioneve të pjesshme që kanë për qëllim dekreditimin e personit nën hetim, duke shmangur thelbin e veprës penale. Jo pa qëllim nxirren këto informacione, sepse njerëzit rendin pas lajmit që ka shijen e thashethemit. Nuk është e drejtë që të rrjedhë informacion në këtë formë,” – deklaroi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




