Italia rikthen energjinë bërthamore, Senati miraton ligjin që hap rrugën për reaktorët e rinj

Europë | 47 minuta më parë

Senati italian ka dhënë miratimin përfundimtar për ligjin që hap rrugën e rikthimit të energjisë bërthamore në vend, pas më shumë se tre dekadash nga braktisja e saj. Ligji u miratua me 81 vota pro, 51 kundër dhe shtatë abstenime, duke krijuar kuadrin ligjor për përdorimin e teknologjive të reja bërthamore.

Qeveria e Giorgia Melonit do të ketë tani 12 muaj kohë për të përcaktuar rregullat për licencimin, standardet e sigurisë, menaxhimin e mbetjeve radioaktive dhe zgjedhjen e zonave ku mund të ndërtohen centralet.

Megjithatë, miratimi i ligjit nuk autorizon ndërtimin e menjëhershëm të reaktorëve dhe projektet duhet të kalojnë nëpër procedura të tjera miratimi. Italia braktisi praktikisht programin e saj bërthamor pas referendumit të vitit 1987, ndërsa një referendum i dytë në vitin 2011 konfirmoi kundërshtimin ndaj energjisë atomike pas aksidentit të Fukushimës.

Qeveria argumenton se kërkesa në rritje për energji elektrike, objektivat klimatike dhe nevoja për të ulur varësinë nga importet e bëjnë të nevojshëm rikthimin e saj. Ndërkohë, Italia përballet me sfida të rëndësishme, përfshirë mungesën e një vend depozitimi të përhershëm për mbetjet radioaktive, kostot e larta dhe kundërshtimin e mundshëm nga komunitetet lokale dhe organizatat mjedisore.

Sipas një sondazhi, rreth 55 për qind e italianëve mbështesin centralet e reja bërthamore, por ndërtimi i reaktorëve mbetet ende disa hapa larg dhe pritet të shoqërohet me debat të fortë politik, ekonomik dhe social.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme