Vit i mbarë për ullinjtë në Shkodër, kushtet gjatë sezonit favorizuan rendimentin

Sociale | 2 orë më parë

Prodhimi i ullirit këtë vit paraqitet në nivele të kënaqshme në qarkun e Shkodrës. Përgjegjësi i Bujqësisë, Alban Sekja, vlerëson se kushtet gjatë sezonit kanë favorizuar zhvillimin e ullirit dhe fermerët pritet të kenë prodhim.

“Prodhime të mira ka edhe ulliri, por ulliri si frut ka një diçka, prodhimin e ka periodik, nuk e ka çdo vit me të njëjtën sasi, me të njëjtin rendiment.”

Ndryshim vërehet në zonat kodrinore, ku prodhimi ka qenë më i pakët. Mungesa e ujitjes dhe temperaturat e larta gjatë periudhës së zhvillimit të frutit kanë ndikuar në rendimentin e ullirit. Sipas përgjegjësit të Bujqësisë, në këto zona mungesa e burimeve të ujit mbetet një nga faktorët që kufizon potencialin prodhues të fermerëve.

“Në zonat ku kanë qenë zona pushimore ka pasur rendimente mjaft të mira. Kurse në zonat kodrinore jo dhe aq, të flasim të drejtën, sepse me thatësinë nuk ka pasur akses në vaditje dhe atje rendimentet kanë qenë më të dobëta. Në përgjithësi, këto janë të gjitha gjërat që prekën pjesën e vitit bujqësor që kaluam.”

Me nisjen e sezonit të vjeljes, fermerët pritet të përballen edhe me kostot e mbledhjes dhe përpunimit të ullirit. Për strukturat e bujqësisë, sigurimi i ujitjes mbetet një element i rëndësishëm për rritjen dhe stabilizimin e prodhimit në vitet e ardhshme.

Gazetar: M. Gjoni

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme