Kosina, jeta mes traditës dhe natyrës, banorët mbajnë gjallë një mënyrë jetese të trashëguar ndër breza

Sociale | 22 minuta më parë

Mes maleve, gjelbërimit dhe qetësisë që të fal natyra, fshati Kosinë në Përmet vijon të ruajë një mënyrë jetese ku tradita dhe puna ecin krah për krah. Këtu, koha duket sikur rrjedh më ngadalë. Banorët e këtij fshati e kanë lidhur jetën me tokën, me punën dhe me gjithçka që u ofron vendi ku kanë lindur dhe janë rritur.

“Kam mbjellë speca, patëllxhanë, bamje, preshë dhe domate. Kur e ke kopshtin të freskët, nuk të vjen të blesh gjëkundi. Po e duam fuqinë, se me këto jemi rritur”, u shpreh një banore.

“Qetësia, ajri i pastër. Këto, nuk na lënë të ikim. Tani kemi rrushin. Vjelim rrushin, bëjmë reçel rrushi, bëjmë rakirat kanë filluar”, tha një tjetër banore.

Puna është pjesë e pandarë e përditshmërisë, ndërsa dashuria për vendlindjen i mban njerëzit të lidhur me njëri-tjetrin. Në Kosinë, gëzimet dhe festat marrin një tjetër kuptim, sepse banorët i ndajnë së bashku, duke ruajtur zakonet dhe traditat e trashëguara.

“Këtu kam një jetë tërë, po thuaj 60 vjet, po jemi vendas. Është një fshat i shkëlqyer me tradita”, tha një tjetër banor.

E ndërsa natyra i ka dhuruar këtij fshati peizazhe të bukura, janë njerëzit ata që i japin gjallëri. Në Kosinë, bukuria nuk qëndron vetëm te ajo që sheh syri. Ajo gjendet edhe te njerëzit, te mikpritja, te qetësia dhe te lidhja e fortë me vendin që e quajnë shtëpi.

Gazetare: L. Koçiu

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme