Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët: Mijëra njerëz janë zhvendosur për shkak të konfliktit në Jemen

Botë | 46 minuta më parë

Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Barham Saleh, ka deklaruar se mijëra njerëz po ikin nga konflikti në Jemen drejt Xhibutit dhe destinacioneve të tjera.

Në një deklaratë para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Saleh tha se dhjetëra mijëra njerëz janë zhvendosur tashmë për shkak të përshkallëzimit të fundit të konfliktit në Jemen.

Sipas tij, situata humanitare po përkeqësohet me shpejtësi, ndërsa familjet e dëshpëruara po përpiqen të gjejnë strehim të sigurt përtej kufijve.

Agjencia e OKB-së për Refugjatët (UNHCR) ka shpallur emergjencë të “nivelit 1” për Jemenin, Xhibutin dhe Somalinë, si përgjigje ndaj rritjes së zhvendosjes së popullsisë. Kjo masë synon të mobilizojë burime shtesë dhe të përshpejtojë ndihmën humanitare për ata që po ikin nga dhunën dhe pasiguria.

Saleh theksoi se mijëra persona kanë kaluar tashmë kufirin drejt Xhibutit, ndërsa të tjerë po përpiqen të arrijnë vende të tjera në rajon. Ai paralajmëroi se numri i kalimeve pritet të rritet më tej nëse luftimet vazhdojnë me intensitetin aktual.

Komisioneri përsëriti gjithashtu thirrjen e Kombeve të Bashkuara për lirimin e menjëhershëm të personelit të OKB-së dhe punonjësve të tjerë humanitarë që janë të ndaluar nga Houthitë.

Ai theksoi se çdo kërcënim ndaj punonjësve humanitarë pengon ndihmën e nevojshme për civilët e prekur nga konflikti.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme