Shqipëria prezanton “Pasqyrën digjitale” në OKB – Rama: Nuk është arbitër opinioni, por mbrojtje ndaj gënjeshtrave

Politikë | 2 orë më parë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, u ndal te sfidat e inteligjencës artificiale dhe roli që vendi i tij po merr në këtë proces global. Ai prezantoi projektin e quajtur “Pasqyra digjitale”, një mekanizëm i mbështetur mbi inteligjencën artificiale, i cili synon të rrisë transparencën dhe të mbrojë shoqërinë nga manipulimi i informacionit.

Rama e përshkroi këtë projekt si një instrument që nuk do të diktojë mendimin e qytetarëve, por do të ndihmojë në verifikimin e informacionit dhe zbulimin e strukturave të koordinuara të manipulimit.

“Ja pse Shqipëria, në shkallën e vet mikroskopike përkundrejt kësaj sfide gjigande, po ndërton një pasqyrë digjitale të mbështetur mbi inteligjencën artificiale. Pasqyra do të identifikojë në kohë reale, do të testojë pretendimet krahasuar me informacionin e autorizuar, do të zbulojë strukturat e koordinuara, jo vetëm ato çfarë shihen, por edhe si dhe pse ka mbërritur tek ato. Nuk do t’u thotë qytetarëve çfarë duhet të mendojnë, e drejta nuk mund të dekretohet nga asnjë qeveri, por të jetë e mbështetur nga të dhënat, të nxirret nga burimet e duhura, të testohet, të mbrohet haptazi. Pasqyra jonë nuk pretendon të shndërrohet në arbitër opinioni, por ka synim që të shndërrohet në një infrastrukturë transparence. Nuk kërkon të krijojë një ministri të së vërtetës, por kërkon të mbrojë shoqërinë kundrejt një industrie të gënjeshtrës.”

Kryeministri theksoi se Shqipëria nuk e sheh këtë nismë si një projekt të izoluar, por si pjesë e një arkitekture globale që duhet të garantojë transparencë dhe llogaridhënie në përdorimin e inteligjencës artificiale.

“Si rrjedhojë, Shqipëria bën thirrje për një marrëveshje ndërkombëtare për një inteligjencë artificiale sovrane dhe demokratike.”

Duke iu referuar debatit ndërkombëtar mbi ngadalësimin apo ndalimin e zhvillimit të inteligjencës artificiale, Rama tha se Shqipëria mbështet përshpejtimin e saj, por me kusht që të jetë e verifikueshme dhe transparente.

Në fund të fjalimit, kreu i qeverisë tha se Inteligjenca Artificiale nuk mund të shndërrohet në luftë mes saj dhe njerëzimit, por duhet t’i shërbejë një qëllimi të përbashkët, lirisë, përgjegjësisë dhe evolimit.

“Gënjeshtra nuk duan t’ia dinë për mure, algoritmet i kapërcejnë kufijtë pa pasur nevojë për pasaportë e pa frikën e ndonjë qeverie. Ata që sulmojnë vendet tona, bashkëpunojnë përtej juridiksioneve. Vendet tona, demokracitë, duhet të mësojnë të bëjnë të njëjtën gjë. Nuk është një garë midis njerëzimit dhe makinave, është midis qëllimeve të ndryshme njerëzore, secili që amplifikohet nga makinat. Ata që e përdorin AI për të ndriçuar dhe atyre e përdorin për të ndjellë terr, ata që pranojnë përgjegjësi dhe atyre që fshihen pas automatizimit, nuk duhet të trembësi që makinat të bëhen njerëzore, por që njerëzit të bëhen të padukshëm pas makinave. Le të sigurohemi që asnjë qytetar të mos lihet i vetëm përballë një ushtrie më tmerruese algoritmi, që asnjë komb i vogël të mos detyrohet të huazojë normalitetin përtej kufijve. AI nuk do të vendosë nëse ky shekull i përket lirisë, ne do ta vendosim. Makina do të bindet, pyetja është kujt do t’i bindet. Sipas cilit ligj dhe në shërbim të cilit ligj. Ne kemi zgjedhur përshtatjen dhe jo dorëzimin, kemi zgjedhur rritjen e jo atrofizimin e aftësisë njerëzore, kemi zgjedhur lirinë e shprehjes”, tha Rama.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme