Një jetë në shërbim të mjekësisë, mijëra pacientë të shëruar nga ish mjeku Janul Barxho

Sociale | 1 orë më parë

Mbi 60 vite të jetës ia kushtoi mjekësisë dhe njerëzve. Janul Barxho është një nga figurat e njohura të mjekësisë në Përmet, një mjek që ndër vite ka lënë gjurmë jo vetëm në sallën e operacionit, por mbi të gjitha në jetën e mijëra pacientëve. Mbi 5 mijë ndërhyrje kirurgjikale mbajnë firmën e tij gjatë viteve të karrierës. Në Përmet, ai ishte ndër mjekët që ngritën repartin e Kirurgjisë, si dhe atë të Obstetrikë-Gjinekologjisë, duke i dhënë qytetit një shërbim të rëndësishëm shëndetësor. Ishte një kohë kur përgjegjësia ishte e madhe, por edhe privilegji për t’u shërbyer njerëzve ishte i veçantë.

“Fillova fakultetin dhe kishte rrethe shkencore. Më pëlqente të isha në rrethin e kirurgjisë. Pastaj bëra specializimin në klinikën më të mirë të asaj kohe, me shef klinike profesor Petro Canin, në atë kohë kryekirurgu i Shqipërisë. Qëndrova atje ditë e natë. Rrija në spital, haja atje, flija atje dhe në vitin ’69 mbarova specializimin. Erdha këtu dhe më thanë: “Do të vesh të specializohesh edhe për obstetrikë-gjinekologji, sepse ka nevojë, pasi në atë kohë nuk kishte shumë kuadro”, u shpreh mjeku.

Për të qenë mjek, thotë Barxho, nuk mjafton vetëm diploma apo profesioni.

“Të gjitha janë humanizëm dhe mënyra e komunikimit me të sëmurin. Në këtë derë, kur hynin pacientët, unë nuk i shikoja nga duart, por i shikoja gjithmonë drejt e në fytyrë, sepse aty fillon qoftë mënyra e komunikimit, e humanizmit, apo edhe vënia e diagnozës”, tha ai.

Edhe sot, pas kaq shumë vitesh, lidhja me pacientët nuk është shkëputur. Ata e ndalojnë në rrugë, e përshëndesin, e kujtojnë me mirënjohje dhe shpesh i kërkojnë ende një këshillë për shqetësimet e tyre shëndetësore. Është një marrëdhënie që nuk përfundoi me daljen në pension. Sepse për një mjek që i kushtoi më shumë se gjashtë dekada njerëzve, kujtimi i pacientëve dhe besimi i tyre mbeten ndoshta dëshmia më e bukur e një jete të tërë në shërbim të mjekësisë.

Gazetare: L. Koçiu

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme