Këlliçi kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Ramës: Kusht themelor, për zgjidhjen e krizës së gjithanshme, që ka kapluar dhe shkatërruar vendin
Partia Demokratike i ka kërkuar zyrtarisht dorëheqjen e menjëhershme Kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar këtë si kushtin themelor për zgjidhjen e krizës politike dhe institudionale në vend. Në një deklaratë për mediat në emër të selisë blu, nënkryetari i PD-së, Belind Këlliçi, kritikoi daljen e fundit publike të kreut të qeverisë nga Aeroporti i Rinasit, duke e konsideruar atë si një “monolog vetëposhtërues” për t’iu shmangur pyetjeve të gazetarëve.
Sipas Këlliçit, fjalimi i Ramës pas kthimit nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në New York tregoi izolim politik dhe përpjekje për të mbrojtur bashkëpunëtorët e tij të hetuar apo të akuzuar për korrupsion e shkelje të ligjit.
Akuza për mbrojtjen e zyrtarëve të lartë dhe SHISH-it
Gjatë deklaratës së tij, përfaqësuesi i opozitës u ndal te qëndrimi i mbajtur nga kryeministri ndaj drejtuesve të institucioneve të rëndësishme shtetërore, përfshirë Drejtoren e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, si dhe ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
“Në monologun e tij, Rama bëri avokatinë e Vlora Hysenit. Kjo provon se ai është peng i zyrtarëve që vendosën institucionin e Shërbimit Informativ Shtetëror dhe sigurinë kombëtare në shërbim të interesave të caktuara. Sot çdo shqiptar sheh te kjo qeverisje modelin e abuzimit me pushtetin.”, tha Belind Këlliçi, nënkryetar i Partisë Demokratike.
Opozita numëroi një seri dosjesh dhe aferash financiare, të cilat, sipas saj, rëndojnë drejtpërdrejt mbi figurën e kryeministrit. Këlliçi përmendi proceset koncesionare në shëndetësi (sterilizimi dhe check-up), projektin e Portit të Durrësit, çështjen e inceneratorit të Tiranës, si dhe bllokimin e kërkesave të opozitës për komisione hetimore parlamentare.
“Ti, Edi Rama, je njeriu që ke firmosur për inceneratorin e Tiranës dhe je autori i vërtetë i koncesioneve në shëndetësi, përmes të cilave janë tjetërsuar qindra milionë euro. Je i vetmi kryeministër që ke përdorur mandatet parlamentare për të bllokuar drejtësinë dhe për të mbrojtur dosjet e infrastruktures, nga tuneli i Llogarasë te Unaza e Madhe.”, tha Këlliçi.
Ai përfundoi deklaratën duke nëvizuar se Partia Demokratike do të vazhdojë denoncimet dhe aksionin e saj politik deri në largimin e qeverisë aktuale dhe krijimin e kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




