Ndihma juridike falas, shërbimi që u vjen në ndihmë qytetarëve në pamundësi ekonomike

Sociale | 2 orë më parë

Rritet interesi i qytetarëve për shërbimin juridik falas në Përmet. Gjatë periudhës janar–gusht të këtij viti, kërkesa për këtë shërbim është rritur me rreth 40.6%, duke treguar nevojën e qytetarëve për këshillim dhe asistencë ligjore. Çështjet administrative, civile dhe penale janë ndër problematikat kryesore për të cilat qytetarët kërkojnë ndihmë pranë shërbimit juridik falas.

“Më shumë kanë qenë administrative, kanë qenë shkresa drejtuar institucioneve për problematikat që qytetarët mund të kenë. Ka pasur qytetarë që kanë pasur probleme me vitet e punës, ku ne i kemi asistuar në grumbullimin e dokumentacionit për vitet e punës dhe u kemi ofruar asistencë për aplikimin për pension pleqërie”, u shpreh juristja Fetie Maliqi.

Por asistenca nuk kufizohet vetëm te çështjet ligjore. Qytetarët i drejtohen këtij shërbimi edhe për ndihmë me aplikimet online, veçanërisht në rastet kur hasin vështirësi në përdorimin e shërbimeve elektronike.Një tjetër element i rëndësishëm është bashkëpunimi me institucionet. Sipas juristes Fetije Maliqi, koordinimi ndërinstitucional ka ndihmuar në trajtimin dhe zgjidhjen e rasteve të ndryshme të paraqitura nga qytetarët.

“Nga praktika, qytetarët që paraqiten në qendër nuk kanë shumë njohuri në përdorimin e shërbimeve online, por aq më tepër në sistemin dhe programin e-Albania. Ne i asistojmë ata me mbledhjen e dokumenteve. Kryesisht, qytetarët që paraqiten për ndihmë juridike dytësore kanë nevojë për një sërë dokumentesh për të provuar që janë kategori e veçantë sipas ligjit ose persona me të ardhura dhe pasuri të pamjaftueshme”, tha ajo.

Shërbimi juridik falas u vjen në ndihmë veçanërisht qytetarëve që përballen me pamundësi ekonomike ose kanë nevoja të veçanta, duke u ofruar këshillim dhe asistencë ligjore pa pagesë. Rritja e numrit të qytetarëve që kërkojnë këtë shërbim tregon edhe rëndësinë e informimit dhe aksesit në drejtësi, për të gjithë ata që kanë nevojë për mbështetje ligjore, por nuk kanë mundësi ta përballojnë atë financiarisht.

Gazetare: L. Koçiu

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme