28 Shtatori/ “Transparenca i jep zë qytetarit dhe përgjegjësi pushtetit”, Komisioneri nis fushatën për informimin e qytetarëve

Sociale | 1 orë më parë

28 Shtatori shënon Ditën Ndërkombëtare të së Drejtës për Informim, një datë që vë në fokus rëndësinë e transparencës institucionale, aksesit në informacion dhe rolit të qytetarëve në një shoqëri demokratike.

Dita Ndërkombëtare për Qasjen Universale në Informacion u shpall nga UNESCO në vitin 2015, me synimin për të evidentuar rëndësinë themelore të aksesit në informacion për ushtrimin e të drejtave të njeriut, forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe pjesëmarrjes qytetare. Në vitin 2019, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e njohu zyrtarisht 28 Shtatorin si ditë ndërkombëtare.

Aksesi në informacionin publik u mundëson qytetarëve të kuptojnë se si merren vendimet, si përdoren burimet publike dhe si ushtrohet pushteti. Në të njëjtën kohë, transparenca rrit përgjegjësinë dhe llogaridhënien e institucioneve publike.

Në kuadër të kësaj dite, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka ndërmarrë këtë vit një nismë ndërgjegjësuese, përmes shpërndarjes dhe afishimit të dy posterave informues pranë autoriteteve publike.

Me mesazhin “Ti ke të drejtë të informohesh. Ne kemi detyrim të përgjigjemi”, materialet synojnë të nxisin transparencën dhe komunikimin e hapur të institucioneve, duke u ofruar qytetarëve edhe informacion praktik për mënyrën e ushtrimit të së drejtës për informim.

Përmes skanimit të kodeve QR të vendosura në postera, qytetarët mund të shkarkojnë Formularin Model të Kërkesës për Informacion ose të plotësojnë formularin e ankesës pranë Komisionerit.

Materialet informuese u janë përcjellë autoriteteve publike edhe në format elektronik, me kërkesën që të publikohen si pop-up në faqet e tyre zyrtare. Kështu, informacioni synohet të jetë i aksesueshëm jo vetëm në ambientet e institucioneve, por edhe për qytetarët që përdorin platformat e tyre online.

Nisma synon të përcjellë mesazhin se institucionet publike kanë një rol të rëndësishëm në ndërtimin e një administrate më transparente, të aksesueshme dhe më pranë qytetarëve.

E drejta për informim konsiderohet një e drejtë themelore dhe një element i rëndësishëm për transparencën, integritetin institucional dhe forcimin e besimit të publikut te institucionet.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme