“Za nji nga nji”, nismë e re në Shkodër, takime me autorë në bibliotekën “Marin Barleti”

Kulturë | 1 orë më parë

Biblioteka “Marin Barleti” pritet të nisë një nismë të re letrare, të titulluar “Za nji nga nji”. Takimet synojnë të sjellin autorët dhe krijimtarinë e tyre më pranë lexuesve, përmes bisedave dhe prezantimit të veprave.

“Në kuadrin e nismës që Biblioteka e Qytetit “Marin Barleti” ka ndërmarrë për t’u kushtuar vëmendje autorëve dhe letërsisë shkodrane, është vendosur të krijohet një grup për moshat e rritura dhe do ta quajmë “Z, një nga një””, u shpreh Specialistja e Biblioteka “Marin Barleti”, Blerta Sinani.

Por çfarë do të përmbajë konkretisht një takim i “Za nji nga nji” dhe si do të zhvillohet ai?

“Specifika e këtij grupi parashikon që në një sezon të merret vetëm një zë shkodran, që do të thotë vetëm një autor. Një nga një do të flasin edhe të pranishmit. Do të shprehin mendimet dhe sugjerimet e tyre”, tha ajo.

Takimi i parë do t’i kushtohet një autori të veçantë, i cili do të prezantohet para lexuesve të bibliotekës.

“Kemi përzgjedhur Stefan Çapalikun. Është i lidhur shumë me Shkodrën, jashtëzakonisht shumë me historinë e Shkodrës dhe ka pasur gjithashtu një pëlqim për veprat e tij, të cilat moshën e mesme e kanë rikthyer shumë mirë në kohë. Prandaj ne përzgjodhëm që, me anën e krijimtarisë së tij, t’i kthejmë lexuesit pas në kohë dhe t’u rikthejmë në kujtesë diçka që ishte harruar”, theksoi Sinani.

“Za nji nga nji” pritet të sjellë në Bibliotekën “Marin Barleti” takime të tjera me autorë, duke krijuar një hapësirë të drejtpërdrejtë komunikimi mes shkrimtarëve, veprave të tyre dhe lexuesve.

Gazetare: Blerta Cina

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme