Investimet e huaja rriten ndjeshëm, Ibrahimaj: 1.14 miliardë euro në gjysmën e parë të vitit

Ekonomi | 1 orë më parë

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka prezantuar në një konferencë për mediat treguesit më të fundit të Institutit të Statistikave mbi ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, duke theksuar se vendi vijon të shfaqë rritje të qëndrueshme ekonomike, stabilitet makroekonomik dhe një klimë gjithnjë e më tërheqëse për investimet.

Sipas Ibrahimajt, ekonomia shqiptare është rritur me 3.61% në tremujorin e dytë të vitit 2026, duke ruajtur ritmin mesatar të rritjes së viteve të fundit dhe duke reflektuar zgjerimin e kërkesës, rritjen e investimeve dhe performancën pozitive të sektorëve kryesorë të ekonomisë.

“Ekonomia shqiptare në tremujorin e dytë të vitit 2026 u rrit me 3.61%, një ecuri që është në linjë me mesataren e ritmeve të rritjes që vendi ka regjistruar në periudhën e fundit. Të dhënat tregojnë qartë se kemi një rritje të qëndrueshme dhe një konsolidim të mëtejshëm të stabilitetit makroekonomik. Kemi parë zhvillime pozitive në sektorët kryesorë të ekonomisë, zgjerim të kërkesës së brendshme dhe një ecuri të mirë të investimeve, elementë që konfirmojnë qëndrueshmërinë e ekonomisë sonë”, deklaroi ministrja.

Duke analizuar ecurinë sipas sektorëve, Ibrahimaj u ndal te kontributi i administratës publike, arsimit dhe shëndetësisë, të cilët rezultuan ndër motorët kryesorë të rritjes ekonomike gjatë kësaj periudhe.

“Administrimi publik, arsimi dhe shëndetësia kanë shënuar rritjen më të lartë, me 12.14%, duke dhënë edhe kontributin më të madh në rritjen ekonomike, me 1.38 pikë përqindje. Ky është një tregues i rëndësishëm që pasqyron zgjerimin e shërbimeve publike dhe private, por edhe investimet e vazhdueshme në këta sektorë. Rritja ka ardhur si nga komponenti publik ashtu edhe nga ai privat, duke reflektuar jo vetëm një kërkesë më të lartë për këto shërbime, por edhe rritjen e investimeve në fushën e arsimit dhe shëndetësisë”, tha ajo.

Ministrja veçoi gjithashtu performancën e sektorit të tregtisë, transportit dhe akomodimit, i cili kontribuoi ndjeshëm në zgjerimin e aktivitetit ekonomik.

“Sektori i tregtisë, transportit dhe akomodimit ka regjistruar një rritje prej 5.53%, duke kontribuar me 1 pikë përqindje në rritjen ekonomike. Të gjithë nënsektorët e lidhur me tregtinë kanë shfaqur zhvillime pozitive, si tregtia me shumicë ashtu edhe ajo me pakicë. Kjo tregon jo vetëm një aktivitet më të lartë ekonomik, por edhe rritjen e konsumit të familjeve shqiptare. Ndërkohë, transporti dhe akomodimi kanë përfituar nga zgjerimi i aktivitetit turistik, duke dëshmuar se kërkesa për turizëm vijon të rritet dhe të japë ndikim pozitiv në ekonomi”, u shpreh Ibrahimaj.

Sipas saj, një tjetër sektor që ka dhënë ndikim pozitiv në ekonomi është ai i pasurive të paluajtshme, i cili ka vijuar të zgjerohet dhe të kontribuojë në rritjen ekonomike të vendit.

Duke komentuar treguesit e sektorit të jashtëm, ministrja bëri të ditur se importet kanë vijuar trendin rritës gjatë tremujorit të dytë të vitit.

“Importet kanë ardhur me rritje. Në tremujorin e dytë ato janë rritur me 7.55%. Të gjithë komponentët kryesorë kanë shfaqur ecuri pozitive, duke reflektuar një aktivitet ekonomik më të lartë dhe rritje të kërkesës në ekonomi”, deklaroi ajo.

Një tjetër tregues që sipas Ibrahimajt dëshmon forcimin e financave publike është ulja e borxhit publik.

“Borxhi publik, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025, është reduktuar me 5 pikë përqindje, nga 54% në 49%. Ky është një rezultat i rëndësishëm që tregon përmirësimin e qëndrueshmërisë fiskale dhe konsolidimin e financave publike”, theksoi ministrja.

Në fokus të deklaratës së saj ishte edhe performanca e investimeve të huaja direkte, të cilat kanë shënuar nivele rekord gjatë gjysmës së parë të vitit.

“Sa u takon investimeve të huaja direkte, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 kemi pasur një fluks prej 1.14 miliardë eurosh, ndërsa stoku i investimeve të huaja ka arritur në 18.42 miliardë euro. Fluksi i investimeve gjatë këtij gjashtëmujori është rreth 50% më i lartë se ai i regjistruar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky është një sinjal shumë pozitiv për ekonominë shqiptare dhe për besimin që investitorët e huaj kanë ndaj vendit tonë”, deklaroi Ibrahimaj.

Sipas ministres, të gjithë këta tregues dëshmojnë se ekonomia shqiptare po vijon të rritet mbi baza të qëndrueshme, duke kombinuar zgjerimin e aktivitetit ekonomik, përmirësimin e treguesve fiskalë dhe rritjen e investimeve, faktorë që mbështesin zhvillimin afatgjatë të vendit.

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme