Ministri Malaj takon misionin e FMN-së: Shqipëria shënon progres në planifikimin dhe menaxhimin e investimeve publike

Financë | 1 orë më parë

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, priti në një takim misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar për eficiencën e investimeve publike (PIMA), të kryesuar nga z. Ian Hawkesworth.

Qëllimi i takimit ishte diskutimi i gjetjeve dhe vlerësimit të FMN-së sa i përket eficiencës së investimeve publike në vendin tonë, të cilat janë pjesë e raportit që pritet të publikohet së shpejti nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Gjatë takimit u evidentuan progresi dhe përmirësimet e ndjeshme që Shqipëria ka shënuar vitet e fundit në drejtim të planifikimit dhe menaxhimit të investimeve publike.

Investimet publike në vendin tonë kanë qenë në rreth 6.5% të PBB-së gjatë viteve të fundit dhe pritet të mbeten në nivele të larta, ndërsa Shqipëria vijon procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Sipas planifikimeve afatmesme, investime të mëtejshme parashikohen në sektorë të rëndësishëm si transporti, energjia, digjitalizimi dhe rritja e qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike.

Ministri Malaj theksoi se rezultatet e vlerësimit të FMN-së tregojnë se Shqipëria po performon në linjë me vendet e Bashkimit Evropian dhe me ekonomitë e zhvilluara në mbarë botën sa i përket mënyrës së planifikimit dhe menaxhimit të investimeve publike.

Ky përmirësim reflektohet në disa prej elementeve kryesore të menaxhimit të financave publike, përfshirë disiplinën buxhetore, mënyrën e alokimit të fondeve, si dhe rritjen e transparencës dhe konkurrueshmërisë në prokurimin publik.

“Paratë publike sot po investohen më mirë”, nënvizoi z. Malaj, duke theksuar se ky nuk është thjesht një vlerësim i institucioneve shqiptare, por një progres i konstatuar edhe nga institucione ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Ky progres merr rëndësi të veçantë pasi lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si përdoren fondet e buxhetit të shtetit për investime në sektorë të rëndësishëm për qytetarët, si infrastruktura, shëndetësia dhe arsimi.

Ministri Malaj theksoi rëndësinë e përdorimit transparent dhe konkurrues të fondeve publike, veçanërisht për investimet në rrugë, spitale apo shkolla, duke nënvizuar se nuk mjafton vetëm që fondet të jenë të parashikuara në buxhet. E rëndësishme është që ato të përdoren në mënyrë sa më eficiente dhe që për çdo lek të shpenzuar të sigurohet sa më shumë vlerë e shtuar për qytetarët.

Vlerësimi i FMN-së përbën një tregues pozitiv të progresit të arritur në këtë drejtim, por, siç nënvizoi Ministri Malaj, ky është një lajm i mirë, por jo fundi i punës. Objektivi mbetet vijimi i reformave dhe forcimi i mëtejshëm i mekanizmave që garantojnë një planifikim dhe menaxhim sa më eficient të investimeve publike.

Në këtë kuadër, Ministria e Financave do të vijojë punën për të siguruar që çdo lek i qytetarëve shqiptarë dhe çdo investim publik të gjenerojë më shumë zhvillim, shërbime më cilësore dhe më shumë vlerë për Shqipërinë.

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme