Obeziteti te fëmijët katërfishohet/OBSH: 170 milionë fëmijë dhe adoleshentë jetojnë me mbipeshë

Lifestyle | 1 orë më parë

Obeziteti te fëmijët dhe adoleshentët nga 5 deri në 19 vjeç është katërfishuar në mbarë botën që nga viti 1990, sipas të dhënave të reja të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Në vitin 2024, rreth 170 milionë fëmijë dhe adoleshentë jetonin me obezitet, ndërsa prevalenca globale u rrit nga 2 për qind në vitin 1990 në 8 për qind në vitin 2024.

Nga ky numër, rreth 70 milionë janë fëmijë të moshës 5 deri në 9 vjeç dhe rreth 100 milionë janë adoleshentë nga 10 deri në 19 vjeç. Të dhënat u publikuan së bashku me udhëzimet e reja të OBSH-së për trajtimin e obezitetit në moshat e reja.

Organizata rekomandon që trajtimi të nisë me ushqyerje të shëndetshme, aktivitet fizik dhe ndryshime afatgjata të sjelljes. Për fëmijët nga 0 deri në 9 vjeç, OBSH-ja nuk rekomandon përdorimin e ilaçeve për humbje peshe, kirurgjisë bariatrike apo pajisjeve për dobësim.

Për adoleshentët nga 10 deri në 19 vjeç, medikamentet mund të shqyrtohen vetëm në raste të caktuara dhe kur ndryshimet e mbikëqyrura në stilin e jetesës nuk kanë dhënë rezultat. Obeziteti në moshë të hershme rrit rrezikun për diabetin e tipit 2 dhe sëmundjet kardiovaskulare, por pasojat mund të prekin edhe shëndetin mendor përmes bullizmit, stigmatizimit, ankthit, depresionit dhe vetëvlerësimit të ulët.

Për këtë arsye, OBSH-ja thekson se trajtimi nuk duhet të përqendrohet vetëm te rënia në peshë, por te shëndeti dhe mirëqenia e përgjithshme e fëmijës. Organizata kërkon gjithashtu masa më të gjera për ta bërë ushqimin e shëndetshëm dhe aktivitetin fizik më të aksesueshëm dhe më të përballueshëm për familjet.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme