Vangjeli: Nëse vendimi do të ishte ndryshe, Kosova do të shkonte në zgjedhje
Në emisionin “Trialog”, të moderuar nga gazetarja Alba Alishani, analisti Lorenc Vangjeli komentoi zhvillimet politike në Kosovë, duke u ndalur te pasojat që sollën vendimet e institucioneve ndërkombëtare dhe ndikimi i tyre në skenën politike shqiptare.
Sipas Vangjelit, nëse vendimet që prekën figurat kryesore të luftës së Kosovës do të kishin qenë të ndryshme, situata politike në vend mund të kishte marrë një rrjedhë tjetër, madje duke çuar edhe në zgjedhje të reja.
Vagjeli kritikoi edhe rivalët politikë të ish-drejtuesve të UÇK-së, duke thënë se një pjesë e tyre e panë procesin gjyqësor si një mundësi për përfitime politike afatshkurtra, pa llogaritur pasojat që mund të sillte kjo për shoqërinë dhe stabilitetin politik.
“Ka pasur njerëz që janë gëzuar për atë vendim, pa marrë parasysh hijen që hidhej mbi vetë luftën. Mjaftonte që kundërshtari i tyre politik të ndodhej pas hekurave dhe kjo konsiderohej fitore”, u shpreh Vangjeli.
Ai theksoi se ky qëndrim nuk ishte i lidhur me qytetarët e zakonshëm, por me rivalët politikë që, sipas tij, nuk arritën të kuptonin efektet afatgjata të zhvillimeve të tilla.
“Po aludoj drejtpërdrejt për rivalët politikë, të cilët nuk llogaritën pasojat që mund të sillte një situatë e tillë. Në politikë shpesh mendohet vetëm për përfitimin e momentit”, deklaroi ai.
Vangjeli vuri në dukje se figura të cilat juridikisht konsiderohen të akuzuara apo të dënuara për vepra të rënda, në rrafshin politik dhe emocional kanë fituar një peshë edhe më të madhe në opinionin publik.
“Nëse flasim me gjuhën e thatë juridike, ata janë të burgosur që gjykata i konsideron fajtorë për vepra shumë të rënda. Por në realitet ka ndodhur e kundërta. Rryma dhe frymëzime të caktuara në Prishtinë, Tiranë e Tetovë u kanë dhënë atyre një përmasë edhe më të madhe politike dhe simbolike”, tha ai.
Sipas tij, politika në hapësirën shqiptare vazhdon të dominohet nga llogaritë për pushtet, ndërsa shpesh mungon reflektimi për pasojat që sjellin vendimet dhe përplasjet politike.
“Shumë individë investojnë dhe punojnë vetëm për të ruajtur kështjellën e pushtetit. Megjithatë, ngjarje të tilla duhet të shërbejnë si një leksion për klasën politike shqiptare që të mendojë ndryshe dhe të tregojë më shumë pjekuri”, u shpreh Vangjeli.
Ai theksoi se çdo krizë politike ka fundin e saj, por paralajmëroi se mungesa e reflektimit mund të prodhojë probleme të reja në të ardhmen.
“E keqja është e pafundme, por për fat të mirë ka një fund. Mund të zëvendësohet nga një e keqe tjetër, siç ka ndodhur shpesh, por çdo cikël mbyllet për t’i hapur rrugën një tjetri”, përfundoi Vangjeli.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




