Paketa e re fiskale, ulet TVSH-ja për ushqimet në 6%, rritet norma standarde dhe ajo për turizmin

Ekonomi | 2 orë më parë

Për herë të parë në Shqipëri, synohet të aplikohet një normë e reduktuar e TVSH-së për produktet bazë të shportës ushqimore. Me paketën fiskale të vitit 2027, qeveria propozon uljen e tatimit nga 20 në 6 për qind për produkte si buka, mielli, qumështi, kosi natyral, vezët, orizi, makaronat, vaji ushqimor, mishi, peshku bazë, frutat, perimet e freskëta, bishtajoret, sheqeri dhe ushqimet bazë për bebet.

Lista përfundimtare e produkteve që do të përfitojnë nga kjo normë pritet të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Sipas relacionit të projektligjit, ulja e TVSH-së synon të lehtësojë barrën tatimore mbi konsumin bazë dhe të përmirësojë përballueshmërinë e ushqimeve për familjet shqiptare.

Por paralelisht me këtë lehtësi fiskale, propozohet që norma standarde e TVSH-së të rritet nga 20 në 21 për qind, ndërsa për sektorin e turizmit nga 6 në 10 për qind.

Një ndryshim tjetër sipas draftit prek edhe pagat nga punësimi.

Për të ardhurat deri në 3 milionë e 240 mijë lekë në vit do të zbatohet tatimi 13 për qind. Për pjesën nga 3 milionë e 240 mijë deri në 8 milionë e 40 mijë lekë, norma do të jetë 23 për qind, ndërsa për të ardhurat mbi 8 milionë e 40 mijë lekë në vit do të aplikohet norma tatimore 32 për qind.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme