KO:SH Film Festival, edicioni i 13-të, Festivali Ndërkombëtar i Filmit me metrazh të shkurtër në Korçë, 100 filma

Kulturë | 28 minuta më parë

Korça mirëpret edicionin e 13-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër, KO:SH. Për pesë net me radhë, në kinemanë “Majestik” dhe në Galerinë e Arteve Digjitale do të shfaqen 100 filma nga vende të botës me tematika të ndryshme që sjellin në ekran histori, përvoja dhe këndvështrime nga vende të ndryshme, ndërsa programi përfshin edhe tri produksione për fëmijë. Drejtori i festivalit, Gledis Bica, thotë se këtë vit risi është edhe përfshirja e filmave të realizuar me inteligjencë artificiale.

“Nga vitet e kaluara janë shtuar disa kategori të reja, si filmat e krijuar nga inteligjenca artificiale. Rikthehet filmi VR dhe, ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit kemi numrin më të lartë të filmave në total, plot 100. Kemi gjithashtu më shumë programe për fëmijë. Janë tri programe për fëmijët, të cilat do të shfaqen të mërkurën dhe të premten, në orën 11:00, te Kinema “Millennium”. Do të ketë shfaqje paralele mes kinemasë dhe Galerisë së Arteve Dixhitale. Në këtë të fundit do të shfaqim filma të animuar, filma eksperimentalë, filma të krijuar me inteligjencë artificiale dhe filma studentorë të animacionit”, u shpreh Gledis Bica, Drejtor i festivalit.

Festivali u çel me filmin “Dua” me regji nga Blerta Basholli, i cili rrëfen historinë e një vajze 13-vjeçare në Prishtinën e viteve ’90, e cila përpiqet të përjetojë adoleshencën mes tensioneve etnike dhe hijes së luftës në Kosovë. Përmes historisë së Duas, filmi trajton frikën, miqësinë, sfidat e rritjes dhe përpjekjen e të rinjve për të ruajtur ëndrrat dhe shpresën edhe në kohë konflikti.

“Mendoj se ishte një organizim shumë i mirë, njësoj si festivali i filmit në Kanë të Francës. Filmi ishte i mrekullueshëm, shumë i thellë dhe ofronte një perspektivë unike, nga këndvështrimi i duhur. Mendoj se ishte realizuar në mënyrë të përkryer”, tha Anna Shnaidman.

Filmat në konkurrim do të vlerësohen me çmime nga një juri prej 12 anëtarësh. Përgjatë pesë ditëve, KOSH synon të sjellë në Korçë krijimtarinë e kineastëve nga vende të ndryshme të botës, duke e kthyer qytetin në një pikë takimi për filmin e shkurtër dhe artin bashkëkohor.

Gazetare: Geralda Manushi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme