Tropojë, Festa e Gështenjës nxit ekonominë/Panairi bashkon kultivuesit e përpunuesit, ndërsa prodhimi vendas synon tregjet e huaja
“Kcimi i Tropojës” dhe tupanët në shesh paralajmërojnë nisjen e festimeve që do të zgjasin deri në mbrëmje vonë. Është “Festa e Gështenjës”, një ditë kushtuar frytit magjik ndër më të veçantit në llojin e tij Ballkan e më gjerë. Ansambli Dardania i paraprin panairit të organizuar nga prodhuesit dhe përpunuesit e gështenjës. Ata që merren me gështenjën, qoftë prodhues por edhe përpunues na flasin për atë dallim të madh që ka gështenja e Tropojës me vendet e tjera ku zhvillohet e kultivohet ky frut.
“Një frut që kohët e fundit ka shumë kërkesë për të. Eksportohet kryesisht në Itali, Francë, Hungari, në disa shtete të Evropës”, u shpreh Albert Çelaj, Sipërmarrës.
“Masivi më i madh pothuaj që kemi në Ballkan dhe historikisht ka pasur vlerë ekonomike për Tropojën”, tha Trashëgim Toska Fermer.
Në panair janë ekspozuar frutat e gështenjës bashkë me nënproduktet e saj ku spikat mjalti por edhe gatimet e tjera tradicionale me bazë gështenje.
Vitet e fundit, sipërmarrësit e Tropojës sasinë më të madhe të prodhimit e eksportojnë në shtetet e Evropës e më gjerë. Tashmë kanë pikat e tyre të grumbullimit e përpunimit duke nxitur më tej zhvillimin e kësaj industrie që po ndikon edhe në ekonominë lokale.
Gazetar: Bujar Muçmata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




