Kuvendi i Kosovës miraton rezolutën kundër dhunës ndaj grave

Kosovë | 52 minuta më parë

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 67 vota pro një rezolutë që dënon vrasjen e grave dhe dhunën në familje, duke kërkuar masa konkrete për parandalimin e këtyre rasteve dhe llogaridhënie institucionale. Në fokus është edhe vrasja e 49-vjeçares Arlinda Zekaj në Vitomiricë të Pejës, e ndodhur më 25 tetor. Rezoluta, e propozuar nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe e plotësuar me propozime nga deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, u prezantua nga kryetarja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci.

Dokumenti synon të trajtojë përgjegjësitë e institucioneve për parandalimin e dhunës me bazë gjinore, mbrojtjen e viktimave dhe zbatimin e legjislacionit përkatës. Miratimi vjen pas disa rasteve të rënda të vrasjes së grave në Kosovë gjatë vitit 2026. Gjatë seancës, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, kritikoi deputetët që nuk qëndruan në sallë për të votuar rezolutën.

“Të vijnë këtu e të hedhin akuza e mos me qëndru në sallë për të votuar, kjo për mua nuk ka asnjë kuptim. Gjithsesi secili deputet le ta ketë përgjegjësinë e vetë”, deklaroi Haxhiu.

Një nga pikat kryesore të rezolutës është themelimi i një komisioni hetimor parlamentar për të shqyrtuar përgjegjësitë institucionale që i paraprinë vrasjes së Arlinda Zekajt. Sipas tekstit të rezolutës, raportimet se 49-vjeçarja kishte kërkuar më herët mbrojtje nga institucionet kërkojnë shqyrtimin e mënyrës se si janë trajtuar denoncimet, si është vlerësuar rreziku dhe nëse janë zbatuar masat e nevojshme për mbrojtjen e saj.

Komisioni parashihet të analizojë veprimet dhe mosveprimet e institucioneve përgjegjëse, përfshirë policinë, shërbimet sociale dhe mekanizmat e tjerë të përfshirë në parandalimin e dhunës. Rezoluta kërkon gjithashtu që shkeljet apo neglizhencat eventuale të evidentuara të pasohen me përgjegjësi ligjore dhe disiplinore. Ndër masat e propozuara është themelimi i qendrave shtetërore për strehimin dhe mbrojtjen e grave viktima të dhunës, si dhe i një qendre të veçantë për fëmijët që kanë nevojë për mbrojtje nga dhuna, abuzimi apo neglizhimi.

Këto qendra parashihet të ofrojnë strehim të sigurt, mbështetje psikologjike, shërbime shëndetësore dhe ndihmë juridike, si dhe përkrahje për riintegrimin e viktimave. Kuvendi i rekomandon gjithashtu Qeverisë forcimin e qendrave për punë sociale dhe rritjen e kapaciteteve të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, në mënyrë që gratë dhe fëmijët e prekur nga dhuna të kenë qasje më të shpejtë në shërbimet përkatëse. Rezoluta përfshin edhe një sërë propozimesh për ndryshimin dhe plotësimin e legjislacionit.

Ndër to janë përcaktimi i femicidit si vepër e veçantë penale, zgjerimi i përkufizimit të dhunës ekonomike dhe saktësimi i formave të dhunës në hapësirën digjitale. Po ashtu, kërkohet krijimi i një njësie të specializuar në kuadër të Policisë së Kosovës për hetimin e dhunës digjitale ndaj grave dhe vajzave, si dhe themelimi i qendrave referuese për viktimat e dhunës seksuale. Dokumenti parasheh edhe hartimin e një programi kombëtar edukues për parandalimin e dhunës në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar, si dhe programe këshillimi e mbështetjeje psikosociale për personat me histori të sjelljeve të dhunshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme