OBSH: Urgjencat të bëhen gati për rreziqet/Prof. Zajmi: Duhen dyfishuar kapacitet, të përgatitemi për epidemitë

Shëndet | 40 minuta më parë

Thirrjes së OBSH për të qenë gati me plane konkrete masash në rastet e emergjencave masive shëndetësore po i përgjigjet edhe Shqipëria.

Këto masa nuk lidhen vetëm me ndryshimet klimaktike por me çdo rrezik të mundshëm që do të përkthehej në kërkesë të lartë shërbimesh shëndetësore në një kohë të shkurtër.

Shefi i Urgjencës polivalente në QSUT, Edmond Zaimi thotë se shërbimet e urgjencës duhet të jenë në gatishmëri.

“E rëndësishme është që sistemet tona shëndetësore duhet të jenë të parapërgatitura për të përballuar numrin e shtuar të kërkesave në një situatë të tillë fatkeqësie apo dëmtimesh masive. Ka më shumë se dy vjet që edhe ne kemi filluar përgatitjen e planeve të emergjencës për situata të tilla. E rëndësishme tani është që t’i testojmë këto plane dhe të evidentojmë mangësitë dhe deficitet e tyre”, u shpreh Edmond Zajmi – Shef i Urgjencës Polivalente, QSUT.

Prof. Zaimi rendit disa nga rreziqet që I kanosen Shqipërisë e për të cilat urgjencat shëndetësore duhet të kenë gati kapacitetet.

“Lufta është një rrezik, tërmetet e ndryshme janë një tjetër rrezik. Ndryshimet e motit, të cilat i përjetuam këtë verë, ashtu siç i përjetoi e gjithë Europa, apo aktet e ndryshme terroriste, janë kërcënime për shëndetin e popullatës”, tha ai.

Nevoja sot sipas profesorit dikton dyfishim të kapaciteteve të shërbimeve të urgjencës mjekësore.

“Përgatitjen e planeve të gatishmërisë, pra që ne të jemi në gjendje të përballojmë kërkesa të shtuara, ndoshta dy herë më të larta se kapacitetet tona në situata të zakonshme”, thekson profesori.

Nisur nga befasia në të cilat u gjendën sistemet shëndetësore në botë nga pandemia Covid 19, OBSH u ka bërë thirrje të gjitha qeverive të përgatiten për çdo epidemi të mundshme.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme