RTSH Korça arkiv i kujtesës/Rëndësia e digjitalizimit të materialeve që dokumentojnë historinë

Kulturë | 1 orë më parë

27 tetori shënon Ditën Botërore të Trashëgimisë Audiovizuale, duke vënë në vëmendje rëndësinë e ruajtjes së materialeve që dokumentojnë historinë përmes imazhit dhe zërit. RTSH Korça kontribuon në ruajtjen e kujtesës historike të qytetit përmes një arkivi me materiale audio dhe video të regjistruara ndër vite.

“RTSH Korça ka një arkiv mjaft të pasur, por kryesisht analog. Regjistrimet audio të viteve të kaluara ruhen në shirita magnetikë, ndërsa televizioni ka një fond mjaft të pasur me kaseta, kryesisht të formatit VHS. Pas vitit 2005, filloi edhe regjistrimi në formate dixhitale, si AVI dhe DVD”, u shpreh Adrian Rapushi, Përgjegjës i transmetimit, RTSH Korçë.

Përmes kronikave, emisioneve, dokumentarëve dhe reportazheve, RTSH Korça ka dokumentuar ngjarje të rëndësishme, zhvillime kulturore e shoqërore dhe histori njerëzore. Vjetërsimi i formateve e bën të domosdoshëm mirëmbajtjen dhe digjitalizimin e arkivit për të garantuar ruajtjen e materialeve.

“Sot, arkivat kanë marrë një rëndësi të madhe, kryesisht për memorien historike të një kombi. Arkivi i Korçës, në këto momente, ka nevojë për mirëmbajtje, por edhe për dixhitalizim. Dixhitalizimi ka filluar prej kohësh, por nevojiten pajisje më moderne dhe më të sofistikuara, të cilat të mund t’i vëmë në përdorim për këtë qëllim”, tha ai.

Arkivi i RTSH Korçës është pjesë e kujtesës kolektive dhe një dëshmi e historisë së qytetit. Ruajtja e tij ndihmon në përcjelljen e ngjarjeve dhe historive që kanë formësuar identitetin e komunitetit te brezat e ardhshëm.

Gazetare: Eftjola Fili

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme