Komisioni për të Drejtat e Njeriut miraton një sërë projektligjesh, nga mbrojtja e konsumatorit te Këshilli Fiskal

Politikë | 1 orë më parë

Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik ka zhvilluar mbledhjen e tij të radhës në drejtimin e zëvendëskryetares, Iris Luarasi, ku pas miratimit të kalendarit të punës për periudhën 18 Tetor–6 Nëntor 2026, u shqyrtuan dhe u miratuan disa nisma të rëndësishme ligjore.

Fokusi kryesor i punimeve u përqendrua te mbrojtja e konsumatorëve, ku u morën në shqyrtim dy nisma paralele: ajo e deputetit Genti Lakollari për ndryshime në ligjin ekzistues dhe projektligji i paraqitur nga Këshilli i Ministrave.

Për shkak të natyrës dhe përmbajtjes së njëjtë të nismave, të dy projektligjet u bashkuan në një tekst të vetëm, me synim garantimin e marrëdhënieve të drejta mes tregtarëve dhe qytetarëve.

Gjatë prezantimit, relatori i çështjes, Ramion Kurti, nënvizoi peshën e kësaj reforme ligjore.

“Nismat synojnë përmirësimin e kuadrit ligjor për mbrojtjen e konsumatorëve me fokus garantimin e të drejtave të tyre, rritjen e transparencës në marrëdhëniet tregtare dhe forcimin e përgjegjësisë së tregtarëve”, u shpreh Kurti, përpara se projektligji i bashkuar të miratohej në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Me të njëjtën procedurë shkrirjeje teksti u shqyrtua edhe kuadri rregullator për institucionin qendror bankar, ku u bashkuan nisma e deputetes Milva Ekonomi dhe ajo e qeverisë. Projektligji i përbashkët “synon përditësimin e kuadrit ligjor që rregullon organizimin, funksionimin dhe ushtrimin e kompetencave të Bankës së Shqipërisë”, nismë e cila mori mbështetjen e anëtarëve pas relatimit nga Etleva Budini.

Në pjesën e dytë të mbledhjes, komisioni shqyrtoi me përparësi nismat e fushës financiare, të prezantuara nga zëvendësministri i Financave, Elert Yzeiraj. Fillimisht u kalua projektligji “Për Këshillin Fiskal të Republikës së Shqipërisë”, i relatuar nga deputetja Kiduina Zaka, i cili u miratua i plotë pas diskutimeve.

Mbledhja u përmbyll me votimin pro të nismës për mbikëqyrjen e konglomerateve financiare. Projektligji “Për mbikëqyrjen shtesë të institucioneve të kreditit, shoqërive të sigurimeve dhe shoqërive komisionere, pjesë e konglomerateve financiare”, i relatuar nga deputeti Piro Dhima, mori miratimin e komisionit në parim, nen për nen dhe në tërësi pas sesionit të pyetjeve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme