Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike miratoi gjashtë projektligje dhe ndryshimet në strukturat e KQZ dhe ILDKPKI

Politikë | 1 orë më parë

Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike ka zhvilluar një mbledhje ku mori në shqyrtim një paketë prej 12 nismash ligjore, duke miratuar përfundimisht gjashtë projektligje kyçe dhe strukturat e reja administrative për dy institucione të pavarura. Mbledhja e zhvilluar në drejtimin e kryetarit, Ulsi Manja u përqëndrua në bashkimin e nismave paralele të qeverisë dhe deputetëve me qëllim unifikimin e teksteve ligjore.

Në bllokun e parë, komisioni shqyrtoi nismën për mbrojtjen e konsumatorit, duke bashkuar propozimin e Këshillit të Ministrave me atë të deputetit Genti Lakollari në një tekst të vetëm të relatuar nga Aulona Bylykbashi. Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, z. Enkelejd Hysenbelli, parashtroi se hartimi i këtij kuadri “vjen si përgjigje ndaj nevojës për përditësimin e harmonizimin e kuadrit ligjor shqiptar me standardet më të fundit të BE”. Zyrtari nënvizoi se nisma “garanton mbrojtjen e konsumatorit shqiptar si në vendet e BE dhe synon rritjen e besimit në treg”, veçanërisht përballë sfidave që sjell ekonomia digjitale.

Fusha e dytë me rëndësi përfshiu katër projektligje që lidhen me klimën e sipërmarrjes, ku komisioni vendosi gjithashtu bashkimin e teksteve paralele. Duke prezantuar ndryshimet në ligjin për Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe regjistrimin e shoqërive, zëvendësministri Enkelejd Musabelli sqaroi se objektivi kryesor është “ndërlidhja ndërmjet Regjistrit Tregtar Shqiptar me sistemin evropian BRIS (Business Registers Interconnection System)”.

Sipas tij, reformat synojnë “krijimin e një mjedisi ligjor më të qëndrueshëm, të parashikueshëm e transparent për bizneset dhe investitorët”, ndërsa deputetët nismëtarë Ermal Elezi, Adi Qose, Admir Kadeli dhe Ilva Gjuzi mbrojtën digjitalizimin e procedurave administrative dhe rregullat e reja për bashkimet e ndarjet ndërkufitare.

Në lidhje me sektorin financiar dhe politikat monetare, komisioni miratoi projektligjin e bashkuar për Bankën e Shqipërisë, i cili u relatuar nga Ani Dyrmishi. Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj, sqaroi se dokumenti “përbën një nga detyrimet në kuadër të procesit të integrimit dhe piketat kryesore përmbyllëse për kapitullin 17 të politikave monetare”.

Yzeiraj shtoi se kjo nisma “synon të përcaktojë qartë objektivat dhe detyrat e Bankës së Shqipërisë, të konsolidojë garancitë ligjore për pavarësinë e saj në vendimmarrje” dhe të shmangë cenimet në autonominë e bankës qendrore.

Pjesa e fundit e mbledhjes u ndal te vendimmarrjet organizative për institucionet e pavarura, me raportues deputetin Damian Gjiknuri. Komisioni miratoi kërkesat e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili “argumentoi nevojën për rekrutimin e një numri prej 322 punonjësish për përgatitjen e zgjedhjeve vendore të vitit 2027”, si dhe kërkesën e kryetares së ILDKPKI-së, Evgjeni Bashari, për zgjerimin e organikës me qëllim “krijimin e një strukture të posaçme në funksion të zbatimit të ligjit ‘Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve'”.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme