Berisha: Paketa e re fiskale do të rëndojë bizneset, PD do ta anulojë kur të vijë në pushtet

Politikë | 1 orë më parë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kritikuar paketën e re fiskale të paralajmëruar nga qeveria, duke e cilësuar atë si një barrë shtesë për bizneset shqiptare dhe një masë që sipas tij do të ndikojë negativisht në ekonomi.

Në një videomesazh të publikuar nga selia e Partisë Demokratike, Berisha deklaroi se qeveria po planifikon rritjen e disa taksave kryesore, duke argumentuar se këto masa mund të sjellin vështirësi për bizneset dhe të reflektohen edhe në rritjen e çmimeve për qytetarët.

Sipas kreut të opozitës, paketa e paralajmëruar parashikon rritjen e taksës mbi dividendin nga 8 në 15 për qind, rritjen e tatimfitimit nga 15 në 17 për qind, si dhe uljen e pragut të TVSH-së nga 10 milionë në 5 milionë lekë.

“Ata njoftojnë se do të dyfishojnë taksën mbi dividentin nga 8 në 15%, do të rrisin taksën mbi tatim fitimin nga 15 në 17%, do të ulin nivelin e xhiros së TVSH-së nga 10 milionë në 5 milionë. Me një fjalë, e vërteta është se do të çojnë drejt falimentimit me qindra e mijëra biznese dhe po kështu shkatërrimin e qindra mijëra vendeve të punës.

Berisha tha se këto ndryshime rrezikojnë të godasin sipërmarrjen dhe tregun e punës.

Ai u shpreh se qeveria “po rrit taksat qindra milionë euro për bizneset shqiptare”, duke shtuar se sipas vlerësimit të tij, masat e propozuara mund të çojnë në falimentimin e një numri të madh biznesesh dhe në humbje të vendeve të punës.

Lideri demokrat e lidhi situatën ekonomike edhe me kursin e këmbimit, duke argumentuar se zhvlerësimi i euros dhe dollarit ka ndikuar negativisht te eksportet dhe prodhimi vendas.

“Në Shqipëri euro dhe dollari kanë pësuar zhvlerësimin më të madh në botë. Për rrjedhojë janë zhvlerësuar eksportet e vendit, ndërsa prodhimi industrial dhe eksportet kanë pësuar rënie”, deklaroi Berisha.

Sipas tij, efektet e paketës së re fiskale nuk do të ndalen vetëm te bizneset, por do të ndikojnë edhe te konsumatorët përmes rritjes së çmimeve.

Berisha paralajmëroi se Partia Demokratike do ta anulojë këtë paketë nëse vjen në pushtet dhe prezantoi alternativën e saj fiskale.

“Premtoj qytetarëve shqiptarë se Partia Demokratike do të anulojë këtë paketë dhe do të vendosë taksën e sheshtë 10 për qind. Niveli i pagesës së TVSH-së do të ngrihet në 15 milionë lekë, ndërsa TVSH-ja për ushqimet dhe mallrat bazë do të zbresë në 6 për qind”, u shpreh Berisha në mesazhin e tij.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme