Sulm me dron rus në një stacion hekurudhor në Ukrainë, 13 të vrarë dhe 5 të plagosur

Botë | 1 orë më parë

Të paktën 13 persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur pas një sulmi me dron rus në një stacion hekurudhor në qytetin e Dnipros, në Ukrainë, ku ndodhej i parkuar një tren pasagjerësh. Lajmi është bërë i ditur nga autoritetet ukrainase, ndërsa raportimet paraprake tregojnë se sulmi goditi platformën e stacionit ku ndodhej treni që udhëtonte drejt Zaporizhzhias. Guvernatori i rajonit të Dnipropetrovskit, Oleksandr Ganza, njoftoi përmes një postimi në Telegram se nga sulmi mbetën të vrarë të paktën 13 persona, ndërsa pesë të tjerë pësuan lëndime. Ndërkohë, kryebashkiaku i Dnipros, Boris Filatov, konfirmoi se një tren pasagjerësh ishte goditur gjatë sulmit.

Edhe kompania shtetërore ukrainase e hekurudhave bëri të ditur se një dron rus goditi platformën e stacionit ku ishte ndalur treni me destinacion Zaporizhzhian. Ngjarja ka shkaktuar viktima në mesin e civilëve, ndërsa autoritetet vijojnë të raportojnë mbi pasojat e sulmit. Sulmi në Dnipro vjen në një kohë kur të dyja palët kanë intensifikuar sulmet ajrore, duke përdorur dronë dhe raketa kundër objektivave në territorin e kundërshtarit.

Kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, deklaroi më herët se më shumë se 600 dronë ukrainas ishin lëshuar gjatë natës drejt rajonit të kryeqytetit rus. Sipas tij, sistemet ruse të mbrojtjes ajrore neutralizuan shumicën e mjeteve ajrore pa pilot përpara se të arrinin në objektivat e tyre. Sobyanin pretendoi se 613 dronë u drejtuan drejt rajonit të Moskës nga nata e së mërkurës deri në mëngjesin e së enjtes, ndërsa 231 prej tyre u shkatërruan gjatë afrimit drejt kryeqytetit. Këto shifra janë bërë publike nga autoritetet ruse dhe nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur. Nga ana tjetër, autoritetet ukrainase raportuan për sulme ruse gjatë natës edhe në rajone të tjera të vendit. Në rajonin e Rivnes, një sulm rus shkaktoi vdekjen e një burri, sipas raportimeve zyrtare.

Përshkallëzimi i sulmeve ajrore mes Rusisë dhe Ukrainës vjen në një periudhë kur të dyja vendet pritet të rifillojnë bisedimet për paqen, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme