Balla pas seancës me tensione: Zhurma e opozitës nuk ndal axhendën europiane të Shqipërisë

Politikë | 36 minuta më parë

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka folur pas përfundimit të seancës plenare, e cila u shoqërua me tensione, duke deklaruar se mazhoranca do të vijojë punën për reformat e nevojshme për integrimin europian të Shqipërisë.

Balla u shpreh se Grupi Parlamentar i PS-së ka vijuar angazhimet në kuadër të programit “Shqipëria 2030”, me synimin për të përmbushur reformat e nevojshme dhe për të përafruar legjislacionin shqiptar me atë të Bashkimit Europian.

“Grupi parlamentar i PS-së vijoi sot angazhimet që kemi në kuadër të programit tonë Shqipëria 2030 për të garantuar përmbushjen e të gjitha reformave të nevojshme, përafrimin e legjislacionit me BE. Sot janë miratuar 9 ligje që lidhen me agjendën tonë të negociatave. Një prej tyre kërkonte dhe shumicë të cilësuar. Mesazhi është i qartë, përtej bilbilave, rrëmujës, flakadanëve, zhurmës, axhenda europiane e Shqipërisë nuk ndërpritet”, deklaroi Balla.

Ai bëri të ditur se gjatë seancës është miratuar edhe kalendari i shqyrtimit të buxhetit, duke e cilësuar buxhetin e ri prej 10 miliardë eurosh si një lajm të mirë për qytetarët. Balla u ndal gjithashtu te paketa fiskale, duke përmendur uljen e TVSH-së për ushqimet e shportës në 6%, heqjen e taksës mbi naftën dhe dyfishimin e rritjes së pensioneve.

“Sot u miratua dhe kalendari i shqyrtimit të buxhetit. Sot shqiptarët kanë marrë lajmin e mirë se kemi një buxhet prej 10 mld eurosh. Edhe paketa fiskale me lajme po aq të mira, e para lidhet me uljen e TVSH-së së ushqimeve. Ulja në 6% është diçka që dikush do të thoshte pse nuk e keni bërë më parë. Nuk kanë qenë mundësitë financiare më parë. Heqja e taksës nga nafta, po ashtu një lajm i mirë. Besoj se opozita duhet të marrë pjesë në votimin e paketës fiskale. Duhet të votojë dhe dyfishimin e rritjes së pensioneve”, u shpreh kreu i Grupit Parlamentar të PS-së.

Në përfundim, Balla theksoi se të gjithë deputetët socialistë do të vijojnë të mbështesin reformat dhe programin e mazhorancës, duke nënvizuar se përgjegjësia e tyre nuk lidhet vetëm me partinë, por edhe me Shqipërinë.

“Grupi parlamentar i PS-së përbëhet nga 82 anëtarë dhe të 82 janë gjithmonë aty për të votuar dhe për të mbështetur të gjitha këto reforma, sepse kontrata e tyre është me PS-në, por mbi të gjitha është me Shqipërinë, me programin tonë Shqipëria 2030”, përfundoi Balla.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme