Vrasjet në Dukagjin/ Spaho: Jemi në pistën e duhur për zbardhjen e dy ngjarjeve, hetimet vijojnë

Aktualitet | 35 minuta më parë

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Dashamir Spaho, ka deklaruar se hetimet për dy vrasjet e rënda të ndodhura së fundmi në Dukagjin, atë të Lekë dhe Prel Gjonit, babë e bir, si dhe vrasjen e Aleksandër Koçekut, po vijojnë intensivisht. Gjatë një deklarate për mediat, Spaho bëri të ditur se janë kryer veprime hetimore si në vendngjarje, ashtu edhe pas ngjarjeve, ndërsa shtoi se policia është në pistën e duhur për zbardhjen dhe dokumentimin e tyre, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës.

I pyetur për ecurinë e hetimeve dhe mundësinë që dy vrasjet të kenë lidhje me njëra-tjetrën, duke pasur parasysh afërsinë kohore dhe ngjashmëritë e pretenduara në mënyrën e ekzekutimit dhe largimit të autorëve, Spaho u shpreh se për momentin nuk mund të japë më shumë detaje, për shkak të veprimeve hetimore që janë ende në zhvillim.

“Lidhur me të dy rastet, ju informoj se kemi kryer veprime hetimore intensive, si në vendngjarje, ashtu edhe pas ngjarjeve të ndodhura. Ju them që jemi në pistën e duhur të hetimit për zbardhjen dhe dokumentimin e këtyre ngjarjeve, në bashkëpunim të plotë me Prokurorinë e Shkodrës”, deklaroi Spaho.

Ai theksoi se hetimet janë ende në vijim dhe se nuk mund të bëhen publike detaje të tjera që mund të cenojnë punën e grupit hetimor.

Gjatë komunikimit me gazetarët, drejtori i Policisë së Shkodrës u pyet edhe nëse angazhimi i efektivëve në Tiranë, për shkak të protestave, ka ndikuar në sigurinë dhe kontrollin e territorit në qarkun e Shkodrës. Spaho siguroi se strukturat vendore kanë kapacitetet dhe personelin e nevojshëm për të përballuar detyrat dhe për të mbajtur nën kontroll territorin e qarkut.

“Ne kemi potencialin e duhur dhe efektivat e duhur për të kontrolluar territorin në qarkun Shkodër”, u shpreh ai, duke shtuar se, sipas informacionit që dispononte, nuk ishte hasur me raste të tentativave për dorëzim të personave të përfshirë në ngjarje kriminale.

Një tjetër çështje e ngritur gjatë deklaratës për mediat ishte lufta kundër kultivimit të lëndëve narkotike në qarkun e Shkodrës, veçanërisht në zonat malore të Dukagjinit, ku gjatë verës janë zhvilluar kontrolle dhe operacione policore.

I pyetur për rezultatet e këtyre aksioneve dhe bilancin e bimëve narkotike të asgjësuara apo të goditjeve të kryera, Spaho deklaroi se informacioni i plotë do të bëhet publik në një moment të mëvonshëm, pasi operacioni të përfundojë. Ai theksoi se puna kundër kultivimit të kanabisit vijon dhe se pritet që në përfundim të operacionit të bëhet një bilanc i detajuar i rezultateve të arritura nga strukturat policore.

Drejtori i Policisë së Shkodrës nënvizoi se lufta kundër kultivimit, prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike mbetet një nga prioritetet e policisë, ndërsa hetimet për dy vrasjet në Dukagjin vijojnë në bashkëpunim me organin e akuzës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme