Tragjedi në Itali, 21-vjeçari me origjinë shqiptare godet për vdekje nënën e tij dhe vetëdorëzohet te karabinierët

Aktualitet | 2 orë më parë

Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën e Chiarit në provincën e Brescias, ku një 21-vjeçar ka goditur për vdekje me thikë nënën e tij, 39-vjeçaren me origjinë shqiptare Meleqe Lusha. Krimi i rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në shtëpinë e tyre familjare në Via Tagliata.

Sipas të dhënave zyrtare, pas ngjarjes i riu është larguar nga vendngjarja dhe është paraqitur vetë mëngjesin e sotëm në stacionin e karabinierëve në Kremona, ku ka pranuar autorësinë e krimit. I dyshuari, i lindur në San Bonifacio (Verona), punonte si punëtor krahu në një fabrikë lokale.

Kryebashkiaku Zotti: Një episod i pashpjegueshëm

Reagimet pas ngjarjes kanë qenë të menjëhershme nga autoritetet vendore. Kryetari i Bashkisë së Chiarit, Gabriele Zotti, e ka cilësuar ngjarjen si “një episod të pashpjegueshëm që ngre një pyetje të madhe”.

Zotti nënvizoi se familja e viktimës ishte e mirëintegruar në jetën komunitare.

“Ata janë një familje e njohur dhe e integruar në zonë, ku komuniteti shqiptar është i fortë. Dy vëllezërit e viktimës punojnë në industrinë e ndërtimit dhe janë punëtorë të zellshëm. Si kryetar bashkie, jam thellësisht i prekur; qëndroj me të gjithë familjen ndërsa presim hetimet për të hedhur dritë mbi rrethanat.”, tha ai.

Komuniteti shqiptar në shok: Nuk i dimë arsyet e këtij akti

Ngjarja ka lënë të tronditur edhe komunitetin shqiptar që jeton e punon në këtë zonë. Dennis Beqiri, kryetar i Shoqatës Shqiptare të Chiarit dhe pronar i një agjencie pasurish të paluajtshme, sqaroi se 21-vjeçari kishte studiuar në Institutin Einaudi dhe kishte kryer stazhin pranë agjencisë së tij.

Beqiri e përshkroi të riun si një djalë “shumë të mirë, të sjellshëm dhe serioz”, duke shtuar se ai “ishte gjithmonë i saktë dhe i qeshur; do të kishte bërë karrierë”.

Lidhur me viktimën dhe reagimin e komunitetit, ai u shpreh: “Ajo ishte një person i mrekullueshëm. E rriti vetëm, me xhaxhallarët e tij gjithmonë pranë. Jemi të shokuar. Nuk i dimë arsyet e këtij akti dhe nuk mund ta kuptojmë: por është e pafalshme. Ai nuk përfaqëson komunitetin tonë.”

Hetimet nga ana e organeve të drejtësisë italiane po vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet që çuan në këtë tragjedi familjare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme