Reforma në tregjet financiare, projektligji i ri për sistemet e pagesave dhe kolateralin përafron legjislacionin me BE-në

Ekonomi | 2 orë më parë

Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë kanë hartuar projektligjin e ri “Për sistemin e pagesave dhe kolateralin financiar”, një iniciativë që synon zëvendësimin e kuadrit ligjor të vitit 2013 dhe përafrimin e plotë të legjislacionit shqiptar me rregulloret dhe direktivat e Bashkimit Evropian.

Nisma ligjore adreson drejtpërdrejt përmbushjen e detyrimeve (benchmark) në kuadër të negociatave për anëtarësim në BE, posaçërisht për Kapitullin 9 “Shërbimet Financiare”.

Sipas relacionit shpjegues të nënshkruar nga Ministri i Financave, Petrit Malaj, projektligji synon “krijimin e një kuadri të ri, të plotë dhe të konsoliduar ligjor për funksionimin, mbikëqyrjen dhe mbrojtjen juridike të sistemeve të pagesave dhe të sistemeve të shlyerjes së letrave me vlerë”.

Transpozimi i direktivave europiane dhe adresimi i boshllëqeve

Sipas relacionit zyrtar, kuadri aktual ligjor paraqiste mangësi strukturore që cenonin zhvillimin e sigurt të tregut:

“Mungesa e instrumenteve të caktuara juridike krijon paqartësi në zbatim, rrit ekspozimin ndaj rreziqeve sistemike dhe kufizon aftësinë e autoriteteve për të ushtruar mbikëqyrje efektive. Në mënyrë të veçantë, mosparashikimi i mekanizmit të njohjes (designation) të sistemeve që përfitojnë mbrojtje nga finaliteti i shlyerjes përbën një boshllëk të rëndësishëm ligjor.”

Risitë kryesore

Me miratimin e këtij projektligji, fusha e zbatimit zgjerohet përtej sistemeve tradicionale të pagesave. Për herë të parë në legjislacionin shqiptar përfshihen shprehimisht depozitarët qendrorë, Kundërpartitë Qendrore (CCP) dhe sistemet e ndërveprueshme (interoperable).

Ndër risitë më thelbësore teknike dhe financiare përfshihen pretendimet kreditore (Credit Claims), njihen ligjërisht si formë e re e kolateralit financiar, duke krijuar mundësinë që bankat të përdorin portofolet e kredive si kolateral pa formalitete të tepërta burokratike; netimi përfundimtar (Close-out Netting), sanksionohet vlefshmëria e këtij mekanizmi në rast mos përmbushjeje ose falimentimi, duke garantuar se detyrimet përllogariten neto në një shumë të vetme përfundimtare; marrja e opinionit të ISDA-së, krijimi i këtij kuadri ligjor i hap rrugën marrjes së opinionit ligjor të netimit nga International Swaps and Derivatives Association (ISDA) për Shqipërinë, çka rrit besueshmërinë e tregut vendas për investitorët e huaj; mbrojtja nga falimentimi, urdhër-transfertat dhe marrëveshjet e kolateralit mbrohen nga anulimi retroaktiv edhe nëse ndaj një pjesëmarrësi hapet procedura e paaftësisë paguese.

Mbikëqyrja ndërinstitucionale dhe ndikimi buxhetor

Projektligji përcakton Bankën e Shqipërisë si autoritetin kryesor përgjegjës për rregullimin, mbikëqyrjen dhe operimin e sistemeve të pagesave, ndërsa saktëson edhe rolin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) për infrastrukturat që lidhen me tregjet e kapitaleve.

Në aspektin financiar, relacioni sqaron se projektakti “nuk vlerësohet të ketë efekte të posaçme të paparashikuara në buxhetin e shtetit”, ndërsa zbatimi i tij do të bëhet përmes strukturave ekzistuese rregullatore. Me hyrjen në fuqi, ligji i ri do të shfuqizojë ligjin ekzistues nr. 133/2013, ndërsa disa dispozita specifike ndërkombëtare do të hyjnë në fuqi me anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme