Banka e Shqipërisë mban të pandryshuar normën bazë të interesit në 2.5% dhe miraton paketën e re për pagesat e menjëhershme

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e zhvilluar më 3 nëntor 2026, vendosi që norma bazë e interesit të mbetet e pandryshuar në nivelin 2.5%. Po ashtu, normat e interesit për depozitën njëditore dhe kredinë njëditore do të mbeten përkatësisht në nivelet 1.5% dhe 3.5%.
Përveç vendimmarrjes mbi politikën monetare, banka qendrore miratoi një pako thelbësore rregullative që modernizon infrastrukturën kombëtare të transfertave dhe synon uljen e tarifave për pagesat me kartë.
Sistemi i ri IPSA, pagesa në lekë dhe euro brenda 10 sekondave, 24/7
Zhvillimi kryesor rregullativ i miratuar në këtë mbledhje lidhet me funksionimin e sistemit të ri të pagesave të menjëhershme IPSA, si dhe përshtatjen e sistemeve ekzistuese të shlyerjes (AIPS, AIPS EURO dhe AECH).
Paketa e re përfshin miratimin e katër rregulloreve bazë:
- “Për funksionimin e Sistemit të pagesave të menjëhershme – IPSA”
- “Për funksionimin e Sistemit të pagesave ndërbankare me vlerë të madhe – AIPS”
- “Për funksionimin e Sistemit AIPS EURO për shlyerjen e transfertave vendase për klientë në Euro”
- “Për funksionimin e Sistemit të klerimit të pagesave me vlerë të vogël – AECH”
Përmes kësaj infrastrukture, Banka e Shqipërisë bën me dije se sistemi IPSA “do të mundësojë kryerjen e pagesave në lekë dhe euro në mënyrë të pandërprerë, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, gjatë gjithë vitit”.
Gjithashtu, ekzekutimi i transaksioneve do të bëhet në kohë reale, “brenda një kohe maksimale prej 10 sekondash nga pranimi i tyre nga ofruesi i shërbimeve të pagesave të dërguesit”.
Projekti realizohet në bashkëpunim me pesë banka qendrore të Ballkanit Perëndimor, ndërsa infrastruktura teknologjike dhe operacionale mbështetet nga Banka e Italisë, sipas modelit evropian TIPS.
Ulje kostosh për tregtarët, kufij të rinj për tarifat e kartave
Një tjetër vendim me rëndësi të veçantë për bizneset është miratimi i rregullores “Për tarifat e shkëmbimit për transaksionet e pagesave të bazuara në kartë”.
Kjo rregullore ndërhyn drejtpërdrejt te tarifat e shkëmbimit (interchange fees), të cilat përbëjnë një kosto të ndjeshme për tregtarët që pranojnë pagesa me kartë përmes terminaleve POS. Përmes kufijve të rinj rregullatorë, synohet ulja e këtyre shpenzimeve për biznesin.
Banka qendrore nënvizon se “ulja e këtyre kostove pritet të nxisë më shumë tregtarë të pranojnë pagesa me kartë, duke zgjeruar mundësitë e konsumatorëve për të përdorur pagesat elektronike”, si një alternativë më e sigurt dhe më efikase ndaj parasë fizike.
Në tërësi, këto masa konsiderohen hapa kyç për formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë shqiptare dhe përafrimin e kuadrit financiar vendas me atë të Bashkimit Evropian.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




