Zgjedhjet në SHBA, ekspertët parashikojnë se konfirmimi i rezultateve mund të marrë javë në disa shtete

Analistët dhe ekspertët e zgjedhjeve në mediat kryesore si Wall Street Journal dhe New York Times ndajnë të njëjtin mendim: “mund të duhen javë për të ditur rezultatet e mesit të mandatit në disa shtete”. Nëse këto shtete do të jenë përcaktuese për kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve apo të Senatit, shpallja e shumicës mes republikanëve dhe demokratëve do të kërkojë kohë.
Mënyrat e ndryshme të numërimit sipas shteteve
Shpejtësia e numërimit të votave ndryshon ndjeshëm nga njëri shtet në tjetrin. në Florida shumica e rezultateve numërohen dhe parashikohen brenda pak orësh pas mbylljes së qendrave të votimit; në Alaska zgjedhjet mund të mbeten pezull me javë, pasi ky shtet “lejon që fletët e votimit të mbërrijnë deri në 15 ditë pas Ditës së Zgjedhjeve”. Alaska bën pjesë në grupin e shteteve të lëkundura (krahas Michiganit, Teksasit, Ohios dhe Maines), ku fitorja është përcaktuese për Senatin; ndërsa në Teksas dhe Kalifornia, numërimi i fletëve të votimit me postë vijon edhe pas ditës së zgjedhjeve, për sa kohë ato mbajnë vulën postare të asaj dite.
Ndryshe nga vendet evropiane, në Shtetet e Bashkuara mungojnë sondazhet e zakonshme të daljes nga votimi (exit polls), kryesisht për shkak se miliona qytetarë votojnë me postë ose përpara ditës zyrtare. Intervistimi vetëm i atyre që dalin nga qendrat e votimit në Ditën e Zgjedhjeve do të përjashtonte një pjesë të madhe të elektoratit.
Për të mbuluar këtë boshllëk, konsorciume si Fondi Kombëtar i Zgjedhjeve (i përbërë nga rrjetet CNN, NBC, ABC dhe CBS) përdorin sondazhe masive telefonike, me tekst dhe online përpara zgjedhjeve. Megjithatë, mediat amerikane po tregohen mjaft të kujdesshme për shkak të gabimeve historike.
Në vitin 2000, sondazhet i dhanë gabimisht fitoren Al Gore-it në Florida, ndërsa në vitin 2016 i dhanë një epërsi të qartë Hillary Clinton-it ndaj Donald Trump-it.
Kësaj sfide i shtohet edhe dukuria e “paragjykimit të refuzimit”, ku grupe të caktuara votuesish (historikisht më shumë republikanë se demokratë) refuzojnë t’u përgjigjen sondazheve jashtë qendrave të votimit, duke e bërë të pasaktë mostrën e të dhënave.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




