Rëndohet bilanci i tragjedisë në Elbasan, gjendet i pajetë nën rrënoja 69-vjeçari

Aktualitet | 2 orë më parë

Rëndohet bilanci i tragjedisë në Elbasan. Shkon në dy numri i viktimave nga shpërthimi i fuqishëm dhe zjarri që përfshiu një pallat 5-katësh në lagjen “Qemal Stafa”.

Pas 82-vjeçares Hatixhe Berisha, e cila u gjet pa shenja jete gjatë pasdites së djeshme, është gjetur edhe trupi i pajetë i 69-vjeçarit Hamit Ibro, pronarit të banesës ku dyshohet se ndodhi shpërthimi. Pas disa orësh kërkimesh intensive, trupi i 69-vjeçarit u gjet rreth orës 00:40, nën rrënojat e pallatit. Në operacionin e kërkim-shpëtimit morën pjesë Policia e Elbasanit, Forcat e Armatosura, Emergjencat Civile dhe shërbimet zjarrfikëse.

Shpërthimi ndodhi rreth orës 14:45 të së mërkurës (4 nëntor), në katin e tretë të pallatit, duke u pasuar nga një zjarr i fuqishëm që shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale dhe strukturore në ndërtesë.

Përveç dy viktimave, 10 banorë të pallatit mbetën të dëmtuar dhe morën ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Elbasanit. Sipas policisë, ata morën asistencën e nevojshme dhe më pas u larguan nga ambientet e spitalit.

Ndërkohë, policia ka bërë të ditura edhe dyshimet paraprake për shkakun e tragjedisë. Nga veprimet e para hetimore, në bashkëpunim me ekspertët xhenierë të RENEA-s dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, dyshohet se shpërthimi dhe zjarri janë shkaktuar nga prania e tepërt e gazit në banesën e 69-vjeçarit.

Grupi i posaçëm hetimor vijon këqyrjen e vendngjarjes dhe veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të shpërthimit.

Njoftimi i policisë:

Elbasan

Në vijim të informacionit të dhënë dje, për zjarrin në katin e tretë të pallatit në lagjen “Qemal Stafa”, informojmë se pas disa orësh kërkimesh intensive, nga Policia e Elbasanit, në bashkëpunim me shërbimet e Forcave të Armatosura, të Emergjencave Civile dhe Zjarrfikësit, u gjet, rreth orës 00:40, trupi i pajetë i pronarit të banesës ku ra zjarri, shtetasit H. I., 69 vjeç.

Si pasojë, humbi jetën në vendngjarje shtetasja H. B., 82 vjeçe. Gjithashtu, u dëmtuan 10 banorë në të njëjtin pallat, të cilët morën asistencë mjekësore dhe u larguan nga ambientet e spitalit, si dhe pati dëme të shumta materiale.

Nga veprimet paraprake të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me ekspertët xhenierë të RENEA-s dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, paraprakisht dyshohet se shpërthimi dhe më pas zjarri janë shkaktuar nga prania e tepërt e gazit në banesën e 69-vjeçarit.

Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon këqyrjen në vendin e ngjarjes dhe veprimet e tjera hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të shpërthimit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për vlerësim.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme