ADN-ja e lashtë zbulon origjinën e gjuhëve dhe lidhjen e papritur mes Anglo-Saksonëve dhe Vikingëve

Kuriozitete | 52 minuta më parë

Një studim i ri mbi gjenomin e evropianëve të lashtë po ndihmon shkencëtarët të kuptojnë se si u shfaqën dhe u shpërndanë gjuhët gjermanike dhe keltike në të gjithë Evropën gjatë 5,000 viteve të fundit.

Hulumtuesit nga Universiteti i Kopenhagës dhe Universiteti i Leidenit analizuan ADN-në e më shumë se 4,500 njerëzve që jetuan nga Epoka e Bronzit të Hershëm deri në fundin e Epokës Vikinge.

Duke ndërthurur të dhënat gjenetike me evidencat arkeologjike dhe gjuhësore — si shkrimet runike, arkitektura e banesave dhe zakonet e varrimit — shkencëtarët zbuluan se rreth 1,500 vjet më parë ndodhi një migrim i madh nga Gjermania e sotme veriore drejt Danimarkës dhe Suedisë jugore.

Kjo periudhë përkon me shfaqjen e gjuhës së lashtë nordike dhe shpjegon pse ajo njihej si “gjuha daneze”.

Ky zbulim tregon se vikingët danezë dhe suedezë kishin lidhje të ngushta me popullsitë e Gjermanisë veriore, të cilat nga ana e tyre kishin lidhje të afërta me grupet që formuan Anglo-Saksonët në Britani.

Zbulimi erdhi si një surprizë e madhe për studiuesit, pasi ndihmon në shpjegimin e lidhjeve të thella kulturore, gjuhësore dhe gjenetike mes Skandinavisë dhe Britanisë që kishin mbetur enigmatikë prej kohësh.

Përveç kësaj, studimi identifikoi një tjetër migrim të panjohur më parë nga rajoni i Detit Baltik drejt Suedisë së sotme rreth 4,000 vjet më parë, i cili solli me vete format e hershme të gjuhëve gjermanike.

Brenda 500 vjetësh, kjo popullsi dhe gjuha e saj u shpërndanë në pjesën më të madhe të Skandinavisë. Kjo kornizë kohore është më se 1,000 vjet më e vonshme se konsensusi i deritanishëm shkencor.

Sa u përket gjuhëve keltike, të cilat sot fliten vetëm në pak zona të Irlandës, Uellsit, Skocisë dhe Britanisë, por që para 2,500 vjetësh ishin të përhapura në pjesën më të madhe të Evropës, studimi sugjeron se ato e kanë origjinën në Evropën Qendrore dhe jo në perëndim të kontinentit, siç mendonin disa gjuhëtarë.

Megjithëse studiuesit theksojnë se gjenetika e vetme nuk përcakton se cilën gjuhë fliste një person — pasi gjuhët ndryshojnë edhe përmes shkëmbimit kulturor — bashkimi i gjenetikës, arkeologjisë dhe gjuhësisë po ofron një nivel të ri faktesh për zgjidhjen e enigmave historike.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme