“Luleborë” nis edicionin e 11-të, organizatorët zbulojnë detajet e festivalit që mbahet më 5 dhe 6 nëntor

Kulturë | 46 minuta më parë

Vetëm pak orë na ndajnë nga nisja e edicionit të 11-të të Festivalit “Luleborë”, ndërsa në Teatrin “Migjeni” në Shkodër po bëhen përgatitjet e fundit.

Këtë vit, festivali do të sjellë 16 krijime të reja që do të pasurojnë fondin e muzikës shkodrane dhe shqiptare. Detajet e këtij edicioni u bënë të ditura nga organizatorët gjatë një konference për mediat.

“Dominon një energji e re, e cila jo vetëm që i sjell festivalit shumë vlera, por, ajo që është më e rëndësishmja, këta të rinj janë e ardhmja që do ta vazhdojnë këtë traditë. Kjo është shumë premtuese”, u shpreh Zef Çoba, Drejtor artistik i festivalit.

“Por unë pak a shumë mendoj se kemi rikthyer disa vlera të dikurshme, siç ishte kënga e bukur dhe e mirëfilltë, ndoshta duke thyer edhe disa tabu me risitë e reja që kanë ardhur”, tha Frederik Ndoci, anëtar i jurisë.

Për realizimin skenik të festivalit edhe këtë vit do të kujdeset regjisori Bojken Lako, ndërsa prezantimi i është besuar Arjola Shehut.

“Në këtë formë, besoj se do të zhvillohet më tej kjo linjë e Festivalit Luleborë, e cila është e ndryshme nga festivalet e tjera”, tha regjisori, Bojken Lako.

“Si vitin e kaluar, edhe këtë vit do të ndiqet pak a shumë e njëjta formulë, ku nga 16 finalistët do të përzgjidhen tetë këngë nga juria jonë e nderuar dhe prestigjioze”, tha prezantuesja Arjola Shehu.

Festivali “Luleborë”, i organizuar nga Qendra Kulturore “Pjetër Gaci” me mbështetjen e Bashkisë Shkodër do të zhvillohet më 5 dhe 6 nëntor, në Teatrin “Migjeni”, duke sjellë për publikun dy mbrëmje kushtuar këngës së re qytetare.

Gazetar: Marjo Gjini

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme