Rama: Shahu ka shtëpinë e tij, do të ketë buxhet të dedikuar për përhapjen në shkolla

Aktualitet | 18 minuta më parë

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se shahu do të marrë një vëmendje të veçantë në shkollat e vendit, përmes një buxheti të dedikuar që synon shtrirjen e kësaj disipline në sa më shumë institucione arsimore.

Gjatë inaugurimit të “Shtëpisë së Shahut”, Rama e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm për komunitetin e shahut dhe për promovimin e kësaj loje mes fëmijëve, duke theksuar rëndësinë e saj në zhvillimin e aftësive mendore.

“Shahu në shkollë dhe për fëmijët është më i rëndësishëm se asnjëherë tjetër, pasi është një ushtrim shumë i rëndësishëm i mendjes, në kushtet kur mendja e fëmijëve tanë është e kërcënuar nga një furtunë të dhënash që hyjnë përmes celularëve, rrjeteve sociale, përmes një bote të re që për fëmijët ka më shumë rreziqe dhe dëme sesa të mira”, u shpreh Rama.

 

Rama bëri të ditur se qeveria ka nisur procesin për zgjerimin e lëvizjes sportive në shkolla, duke përfshirë edhe disiplina të reja.

Sipas tij, shahu do të jetë një prej prioriteteve të kësaj nisme, për të cilin do të ketë mbështetje financiare të posaçme, me synimin që të praktikohet nga sa më shumë nxënës në të gjithë vendin.

“Ne e kemi nisur procesin për të zgjeruar lëvizjen sportive në shkolla, duke futur disiplina të reja. Shahut do t’i japim vëmendje dhe buxhet të veçantë për ta shtrirë në sa më shumë shkolla”, tha Rama.

Nisma synon të forcojë praninë e sportit dhe aktiviteteve që zhvillojnë përqendrimin, logjikën dhe mendimin kritik në mjediset shkollore.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme