Bushi: Presim mbështetjen e tifozëve për miqësoret e nëntorit!

Kombëtarja U21 do të luajë dy ndeshje miqësore në datat 13 dhe 17 nëntor, përkatësisht ndaj Spanjës dhe Luksemburgut. Trajneri Alban Bushi ka prezantuar listën e lojtarëve që do të ketë në dispozicion për këto dy sfida, teksa për fshf.org ka komentuar zgjedhjet e tij dhe pritshmëritë për dy përballjet e radhës.
“Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme dhe shumë të forta. Luksemburgu është një ekip shumë i mirë, që është zhvilluar ndjeshëm vitet e fundit. Na ka mundur 1-0 dhe tashmë kemi mundësinë të marrim një lloj revanshi në fushën tonë, pasi luajmë përpara tifozëve tanë, pas pothuajse një viti.
Mendoj dhe besoj se të dyja ndeshjet, si këto të tanishmet, ashtu edhe ato të marsit, mendojmë t’i zhvillojmë në Air Albania, për t’u përshtatur edhe me fushën dhe me ambientin, pasi do të na shërbejnë edhe për t’u përgatitur me fushën dhe ambientin. E kemi vlerësuar shumë Luksemburgun dhe kemi një listë shumë të fortë lojtarësh.
Na mungojnë dy futbollistë të rëndësishëm, si Fikaj dhe Burak Alili, të cilët kanë qenë titullarë dhe pjesë e rëndësishme e formacionit. Ata janë të dëmtuar. Megjithatë, kemi edhe lojtarë të tjerë shumë të rëndësishëm, si Sina dhe Fetaj, të cilët janë pjesë e ekipit A. Shpresojmë që për ndeshjen me Spanjën të rikthehen, pasi ekipi luan më datë 15 në Hungari”, u shpreh Bushi.
Në ndeshjen e dytë miqësore, kuqezinjtë do të përballen me një kundërshtar të nivelit të lartë siç është Spanja. Një ekip me shumë cilësi, por trajneri Bushi beson se skuadra e tij do të japë gjithçka për të marrë maksimumin nga kjo përballje.
“Spanja është një ndeshje speciale. Është një ekip nga më të mirët në botë në nivelin U-21. Një ekip teknik, që zotëron topin dhe nuk të lë të luash. Por ne e dimë shumë mirë strategjinë tonë. Duhet të jemi sa më kompaktë, ashtu siç kemi qenë në ndeshjet e fundit, sa më të fortë dhe sa më agresivë.
Ne kemi karakter si ekip dhe identitetin tonë. Nuk kemi absolutisht frikë nga Spanja. Nuk diskutohet që do të luftojmë deri në vdekje, pa u dorëzuar dhe pa pranuar humbjen përballë saj.
Në Europian kundërshtarët tanë do të jenë Spanja, Franca, Belgjika, Kroacia dhe skuadra të tjera të mëdha. Jemi përgatitur për këtë nivel. Prej një periudhe të gjatë po punojmë në mënyrë sistematike me një strategji të qartë, të cilën do ta zbatojmë si në ndeshjen me Spanjën, ashtu edhe në Europian. E dimë se çfarë duhet të bëjmë ndaj këtyre ekipeve të mëdha, sa ngushtë duhet të qëndrojmë dhe sa shpejt duhet të kalojmë në sulm.
Kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë me Ukrainën, ku arritëm të merrnim një barazim 2-2, por mund edhe ta kishim fituar takimin. Gjithashtu, kemi bërë paraqitje të mira ndaj Italisë dhe Sllovenisë. Edhe pse me Italinë humbëm ngushtë, 1-0, treguam se mund të jemi të rrezikshëm dhe të krijojmë raste në aksionet tona.
Ndeshja me Spanjën do të jetë speciale, një përballje shumë e bukur, të cilën do të doja ta luaja edhe vetë. Do të japim gjithçka, edhe jetën, për të mos u mundur nga kjo skuadër”, – theksoi trajneri kuqezi.
Në fund, trajneri Bushi u ndal edhe te mbështetja e tifozëve, duke shprehur dëshirën që ata të jenë të pranishëm në të dyja ndeshjet që Shqipëria U21 do të luajë në stadiumin “Air Albania”.
“Nuk mendoj se tifozët duhet të vijnë vetëm me Spanjën, por duhet të vijnë edhe me Luksemburgun. Ata kanë qenë gjithmonë mbështetja jonë. Sa herë që kemi luajtur në Air Albania, kemi pasur shumë tifozë.
Besoj dhe shpresoj që do të jenë të pranishëm edhe në ndeshjen me Luksemburgun, sepse kemi përballë një kundërshtar që duhet vlerësuar shumë. Ne do të japim maksimumin për ta fituar këtë ndeshje, për të dominuar në lojë dhe për ta mundur me rezultat. Kemi nevojë për ta.
Futbolli pa tifozë nuk është i kënaqshëm dhe nuk është i bukur. Janë pikërisht tifozët ata që i japin bukurinë këtij sporti. Uroj që të vijnë sa më shumë, si në ndeshjen me Luksemburgun, ashtu edhe në atë me Spanjën”, u shpreh trajneri Bushi.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




