Kërcënimet nga Huthi dhe Irani/ SHBA u bën thirrje qytetarëve të saj: Bëni kujdes në Emiratet e Bashkuara Arabe

Uashingtoni u ka kërkuar qytetarëve amerikanë që ndodhen në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Rajonin e Lindjes së Mesme të tregojnë vigjilencë të lartë, për shkak të rritjes së rrezikut nga sulmet e armatosura të grupit rebel Huthi të Jemeni-t, i cili mbështetet nga Teherani.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Emiratet e Bashkuara Arabe publikoi një paralajmërim të ri sigurie në rrjetin social X. Në këtë deklaratë, misioni diplomatik vë në dukje rrezikun e shtuar të sulmeve ushtarake, si dhe përpjekjet e mundshme të Iranit për të shënjestruar zyrtarët e qeverisë amerikane në rajon.
Përveç kërcënimeve të drejtpërdrejta të sigurisë, ambasada udhëzoi shtetasit amerikanë të jenë të përgatitur për pengesa të mundshme në udhëtime, përfshirë anulimin e fluturimeve komerciale dhe mbylljen e papritur të hapësirave ajrore.
Tensionet janë rritur pas një sërë sulmesh të kryera nga Huthit ndaj infrastrukturës kritike dhe aeroporteve civile në Arabinë Saudite.
Për këtë arsye, edhe misioni diplomatik amerikan në Arabinë Saudite lëshoi një paralajmërim të ngjashëm pak më parë, duke bërë thirrje për kujdes maksimal.
Zyrtarët amerikanë vazhdojnë të ndërmarrin masa parandaluese, ndërsa u bëjnë thirrje qytetarëve të tyre që të ndjekin me vëmendje njoftimet zyrtare të departamenteve të sigurisë dhe të shmangin zonat me risk të lartë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




