Pas sulmeve me gurë, molotovë dhe mjete piroteknike, ndërhyn policia me ujë me presion, shpërndahen protestuesit, boshatiset sheshi para Kryeministrisë

Aktualitet | 18 minuta më parë

Situata në bulevardin kryesor ka kaluar në një fazë të re kontrolli nga forcat e sigurisë, pas përshkallëzimit të sulmeve me mjete të ndryshme rrethanore dhe piroteknike drejtuar efektivëve dhe godinave institudionale.

Sipas zhvillimeve të fundit në terren, pas hedhjes së gurëve, molotovëve dhe breshërive me fishekzjarre në drejtim të forcave të rendit, objekteve të ndryshme, Policia e Shtetit është detyruar të ndërhyjë me makinat e ujit me presion për të shpërndarë protestuesit.

Kjo ndërhyrje masive ka sjellë largimin e shpejtë të pjesëmarrësve nga vatra kryesore e tensioneve. Për momentin sheshi përpara Kryeministrisë deri tek ura e Lanës është boshatisur.

Përforcimi i masave të sigurisë në terren

Menjëherë pas shpërndarjes së turmës, organet e zbatimit të ligjit kanë ndërmarrë hapa për konsolidimin e perimetrit të sigurisë.

Policia ka përforcuar prezencën në bulevard si në numrin e efektivëve, ashtu edhe të dy makinave që hedhin ujin me presion, me qëllim parandalimin e rigrupimeve të mundshme dhe garantimin e rendit publik përgjatë gjithë aksit kryesor.

17: 04/ Molotovë drejt perimetrit të Kryeministrisë, vijon reagimi i policisë me ujë me presion

Situata në bulevardin kryesor është tensionuar në disa momente, ku ndaj linjës së mbrojtjes së forcave të sigurisë janë përdorur edhe lëndë djegëse.

Krahas hedhjes së objekteve të forta, shihet një përshkallëzim i mjeteve të përdorura nga tubuesit. Protestuesit përveç gurëve kanë lëshuar edhe disa bomba Molotov në krahun e kryeministrisë në drejtim të forcave të rendit.

Pavarësisht përdorimit të lëndëve me përbërje eksplozive dhe djegëse, taktika e efektivëve të sigurisë ka mbetur e pandryshuar deri në këto momente. Forcat e sigurisë vijojnë të kundërpërgjigjen deri më tani me ujë me presion, me qëllim fikjen e vatrave të zjarrit, prapësimin e sulmeve dhe mbajtjen e turmës në distancë sigurie.

16: 31/ Protesta zhvendoset drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”

Pasi përmbyllën grumbullimin përpara Ministrisë së Arsimit, pjesëmarrësit në protestë janë zhvendosur në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, ku vijon prania e forcave të sigurisë.

Edhe gjatë kësaj faze të tubimit, janë vërejtur episode tensioni nga grupe të caktuara brenda turmës. Raportohet se sërish disa protestues të maskuar kanë hedhur gurë në drejtim të forcave të rendit, ndërsa mjetet rrethanore po sigurohen drejtpërdrejt në terren. Disa protestues me maska shihet se po heqin gurë nga trotuari.

Mësohet se përshkallëzimi i situatës mbetet i kufizuar, pasi “për momentin incidentet janë sporadike”. Ndërkohë, sa i përket vendosjes së pjesës kryesore të pjesëmarrësve, shihet se pjesa më e madhe e protestuesve po qëndron afër urës së Lanës në Bulevard, duke ruajtur një distancë relative nga vatrat e izoluara të përplasjes.

Protesta para Ministrisë së Arsimit, refuzohet sërish PD-ja

Ditën e sotme në kryeqytet janë zhvilluar dy protesta të ndara, njëra e organizuar nga studentët dhe tjetra nga Partia Demokratike.

Protestuesit e PD-së e nisën tubimin përpara Kryeministrisë dhe më pas marshuan drejt Ministrisë së Arsimit, me synimin për t’iu bashkuar studentëve. Megjithatë, këta të fundit e kundërshtuan një veprim të tillë dhe kërkuan largimin e grupimit demokrat, duke theksuar se protesta e tyre është e pavarur dhe nuk dëshirojnë përfshirjen e përfaqësuesve politikë.

Përplasjet verbale dhe tensionet zgjatën për disa minuta, por më pas situata u qetësua dhe studentët vijuan tubimin e tyre.

/rtsh.al/

 

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme