Protesta përpara Ministrisë së Arsimit, grupe personash me maska qëllojnë më gurë në drejtim të policisë, ajo kundërpërgjigjet me presion uji

Grumbullimi i zhvilluar përpara godinës së Ministrisë së Arsimit është shoqëruar me tensione dhe incidente, ku është vërejtur prania e personave të maskuar midis pjesëmarrësve.
Sipas pamjeve nga vendngjarja, situata është tensionuar kur individë me fytyrë të mbuluar kanë qëlluar me gurë në drejtim të forcave të policisë si dhe godinës së ministrisë.
Krahas hedhjes së mjeteve të forta, protestuesit kanë shtyrë dhe disa kazanë mbeturinash duke iu vënë flakën përpara forcave të rendit.
Përballë këtyre veprimeve, reagimi i efektivëve të sigurisë ka qenë i kufizuar në masa kontrolluese të turmës. Policia nga ana e saj është kundërpërgjigjur deri tani vetëm me ujë me presion, me qëllim shpërndarjen e vatrës së tensionit dhe shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm të përplasjes.
Protesta para Ministrisë së Arsimit, refuzohet sërish PD-ja
Ditën e sotme në kryeqytet janë zhvilluar dy protesta të ndara, njëra e organizuar nga studentët dhe tjetra nga Partia Demokratike.
Protestuesit e PD-së e nisën tubimin përpara Kryeministrisë dhe më pas marshuan drejt Ministrisë së Arsimit, me synimin për t’iu bashkuar studentëve. Megjithatë, këta të fundit e kundërshtuan një veprim të tillë dhe kërkuan largimin e grupimit demokrat, duke theksuar se protesta e tyre është e pavarur dhe nuk dëshirojnë përfshirjen e përfaqësuesve politikë.
Përplasjet verbale dhe tensionet zgjatën për disa minuta, por më pas situata u qetësua dhe studentët vijuan tubimin e tyre.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




