Sulm me armë zjarri në qendër të Krakovës, të paktën 5 të vrarë dhe mbi 12 të plagosur nga një 25-vjeçar i armatosur

Europë | 16 minuta më parë

Një sulm i rëndë me armë zjarri ka goditur zemrën historike të Krakovës në Poloni, ku të shtënat e një personi të armatosur ndaj turmës kanë shkaktuar një bilanc tragjik viktimash dhe personash të lënduar.

Sipas të dhënave të përditësuara nga autoritetet dhe mediat vendase, sipas raportimeve të Ntv24, konfirmohet se “pesë persona u vranë në të shtënat në Sheshin Kryesor të Tregut në Krakov, ku një burrë hapi zjarr nga një makinë”.

Raportimet fillestare të policisë polake pas orës 3:00 pasdite flisnin për dy të vdekur e 10 të plagosur, por bilanci u rëndua më tej, duke arritur në “të paktën pesë persona të vdekur dhe më shumë se një duzinë të tjerë të plagosur, përfshirë dy oficerë policie”.

Dinamika e sulmit me automjet dhe armë automatike

Detajet e reja të zbardhura nga mediat polake hedhin dritë mbi lëvizjet e autorit të ngjarjes. Sipas stacionit radiofonik polak RMF FM, duke cituar gazetarin Kacper Wróblewski, i dyshuari ka përdorur një mjet të zi për të hyrë në zonën e këmbësorëve.

Mësohet se “i dyshuari 25-vjeçar hyri në sheshin kryesor të qytetit, Rynek Główny, me një Subaru të zi pa leje” (raportuar gjithashtu me Subaru të zi pa targa), “duke hapur zjarr pa dallim mbi kalimtarët me një pushkë gjysmëautomatike AR-15”. Po sipas të njëjtave burime, dëshmitarët dhe policia plotësojnë se “i riu mbante veshur kamuflazh ushtarak”.

Ndërhyrja e policisë, arrestimi i autorit e masat e sigurisë

Reagimi i forcave të rendit ka sjellë ndjekjen e menjëhershme të autorit dhe neutralizimin e tij pas një përplasjeje me armë në rrugët e qytetit.

Në një deklaratë zyrtare për mediat, policia raportoi se “sulmuesi u qëllua nga oficerët e policisë dhe aktualisht po transportohet në spital”. Mësohet se neutralizimi i tij ndodhi “pranë kryqëzimit të rrugëve Stradomska dhe Dietla, përpara se të dërgohej në një spital të Krakovës, ku po i nënshtrohet reanimacionit”.

Pas kontrollit të hapësirës publike, “autoritetet po u bëjnë thirrje banorëve dhe turistëve të mos vizitojnë Sheshin e Tregut dhe po u bëjnë thirrje të gjithë atyre që ndodhen në zonë të zhvendosen në një vend të sigurt”. Ndërkohë, sa i përket pistave të hetimit, sipas RMF FM, “policia beson se ai veproi i vetëm”, ndërsa mbetet ende e paqartë shkaku i këtij akti violent, pasi “motivi i sulmit mbetet i panjohur”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme