Pete Hegseth në rrezik shkarkimi? Kongresmeni republikan detyron votimin, demokratët bashkohen kundër tij

Kongresmeni republikan Thomas Massie ka ndërmarrë hapa zyrtarë për të detyruar Dhomën e Përfaqësuesve të votojë për shkarkimin e sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth. Rezoluta e paraqitur nga përfaqësuesi i Kentucky-t kërkon largimin e tij nga detyra, ndërsa votimi pritet të zhvillohet deri të mërkurën.
Nisma e Massie-t përqendrohet kryesisht te veprimet ushtarake amerikane në Iran, por përfshin edhe rolin e Hegseth në operacionet në Jemen dhe Venezuelë. Kongresmeni e akuzon sekretarin për abuzim me pushtetin dhe për marrjen e vendimeve që, sipas tij, bien ndesh me ligjin.
Massie ka paralajmëruar se procesi do të jetë vetëm fillimi i një periudhe më të gjerë hetimesh ndaj drejtuesve të administratës Trump.
Ndërkohë, demokratët kanë deklaruar hapur se do të mbështesin shkarkimin e Hegseth. Kreu i tyre në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, e ka cilësuar sekretarin si një kërcënim për sigurinë kombëtare.
“Pete Hegseth duhet të largohet. Besoj se do të ketë mbështetje jashtëzakonisht të fortë për atë rezolutë”, deklaroi Jeffries.
Megjithatë, miratimi i rezolutës në Dhomën e Përfaqësuesve nuk do të thotë largim automatik nga detyra. Për shkarkimin përfundimtar kërkohet edhe një proces gjykimi në Senat, ku duhen të paktën 67 vota nga 100 senatorët.
Përballë presionit në rritje, Hegseth ka njoftuar se do të mbajë një konferencë për shtyp, të parën pas më shumë se 180 ditësh, ku pritet të mbrojë vendimet e tij ushtarake dhe veprimet e administratës Trump në Iran e Venezuelë.
“Jam i gatshëm të diskutoj zgjedhjet politike që kemi bërë”, u shpreh ai, duke mbrojtur operacionet ushtarake amerikane.
Ndërkohë, demokratët po përgatisin edhe një valë hetimesh ndaj administratës Trump, të cilat pritet të nisin në janar, kur ata të marrin kontrollin e Kongresit.
Në fokus do të jenë gjithashtu roli i Elon Musk në shkurtimet e administratës federale dhe ai i Stephen Miller në politikat e ashpra të emigracionit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



