Hec-et në Kaçinar, gjykata urdhëron hetime/Prej shtatë vitesh banorët kundërshtojnë projektin koncesionar

Aktualitet | 2 minuta më parë

Gjykata e Lezhës ka rrëzuar kërkesën e Prokurorisë për pushimin e çështjes së ndërtimit të katër hidrocentraleve në Kaçinar të Mirditës, duke kërkuar vijimin e hetimeve. Avokati i banorëve, Marash Logu, e konsideron vendimin një mundësi për zbardhjen e çështjes, pasi sipas tij, gjatë hetimeve të mëparshme kanë munguar veprime të rëndësishme hetimore.

“Gjykata vendosi që, brenda një periudhe katërmujore, Prokuroria duhet të kryejë të gjitha hetimet që nuk janë kryer deri më tani, me qëllim që këta banorë të marrin më në fund drejtësi dhe t’i jepet përfundimisht një përgjigje kësaj çështjeje”, u shpreh avokati, Marash Logu.

Vendimi është mirëpritur edhe nga banorët, të cilët prej vitit 2019 kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentraleve, duke kërkuar hetimin e procedurave dhe vendimeve administrative që i hapën rrugë këtij projekti.

“Po vepron ligji më në fund. Ka kthyer, se uroj që ai prokuror që ka marrë çështjen të mos ketë nevojë të kërkojë shumë, pasi ne ia japim dokumentet të gatshme”, tha një banor.

Banorët pretendojnë se projekti është shoqëruar me shkelje ligjore, mungesë të konsultimit publik dhe falsifikim firmash.

Për këtë çështje ata kanë zhvilluar protesta dhe beteja ligjore, ndërsa kallëzimi i tyre ka kaluar në disa institucione të drejtësisë, nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda, te Prokuroria e Lezhës dhe SPAK. Një kërkesë e mëparshme për pushimin e çështjes ishte paraqitur edhe në vitin 2021, por kundërshtimi në gjykatë bëri që hetimet të mos mbylleshin.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme