Alarm për gjendjen shëndetësore të mjekut të Gazës, i burgosur nga Izraeli prej 23 muajsh pa akuzë

Gjendja shëndetësore e mjekut palestinez Hussam Abu Safiya, i cili mbahet në burgjet izraelite prej afro 23 muajsh pa një akuzë formale, po shkakton shqetësim të madh. Një profesor izraelit i pavarur, pasi ka shqyrtuar dokumentacionin e tij mjekësor, paralajmëron se jeta e mjekut mund të jetë në rrezik nëse nuk merr trajtimin e nevojshëm.
Abu Safiya, ish-drejtues i spitalit Kamal Adwan në veri të Gazës, u arrestua më 27 dhjetor 2024 gjatë kohës që ndodhej në detyrë. Autoritetet izraelite e kanë klasifikuar si “luftëtar të paligjshëm”, një status që u mundëson mbajtjen e tij në paraburgim pa gjyq. (Një mural i Hussam Abu Safiya-s, i pikturuar në një ndërtesë të bombarduar në qytetin e Gazës. Mjeku i lartë u ndalua nga forcat izraelite në dhjetor të vitit 2024. Foto: Anadolu/Getty Images)
Sipas të dhënave mjekësore të siguruara nga organizata Physicians for Human Rights Israel (PHRI), të shqyrtuara nga profesori izraelit Amit Tirosh, pesha e mjekut ka rënë nga 90 kilogramë në janar 2025 në 76 kilogramë në maj të këtij viti.
Specialisti ka evidentuar disa probleme që, sipas tij, nuk janë hetuar dhe trajtuar në mënyrën e duhur, përfshirë dhimbjet në kraharor, zgjatjen e trajtimit për zgjeben dhe rënien e nivelit të hemoglobinës në gjak.
“Privimi i vazhdueshëm nga ushqimi dhe humbja e peshës, rrahjet dhe dëmtimet e përsëritura, së bashku me kujdesin e pamjaftueshëm mjekësor, mund t’i kushtojnë patjetër jetën doktor Abu Safiyas”, deklaroi Tirosh për The Guardian.
Ai theksoi se rënia e hemoglobinës, e evidentuar në analizat mes muajve shkurt dhe korrik 2026, përbën një shqetësim të veçantë, pasi mund të tregojë humbje gjaku dhe kërkon vlerësim urgjent mjekësor.
Dokumentacioni evidenton gjithashtu mavijosje rreth njërit sy, marramendje dhe dhimbje në brinjë. Mjeku u ka thënë avokatëve të tij se është dhunuar nga gardianët e burgut, ndërsa të dhënat mjekësore nuk japin një shpjegim për dëmtimet e konstatuara.
Pavarësisht këtyre shqetësimeve, fundjavën e kaluar një gjykatë izraelite e shkallës së ulët rrëzoi kërkesën për t’i mundësuar një ekzaminim të pavarur mjekësor. Edhe Gjykata e Lartë e Izraelit kishte refuzuar muajin e kaluar një kërkesë për lirimin e tij.
Profesori Tirosh kërkoi që mjeku të ekzaminohet nga një palë e tretë dhe që dokumentacioni i plotë shëndetësor të vihet në dispozicion të specialistëve të pavarur.
“Refuzimi i një ekzaminimi të pavarur nuk është kurrë i justifikueshëm”, theksoi ai.
Abu Safiya u bë një nga figurat më të njohura të personelit shëndetësor në Gaza gjatë luftës, pasi qëndroi në krye të spitalit Kamal Adwan edhe gjatë më shumë se 80 ditëve të rrethimit dhe sulmeve izraelite në zonën përreth.
Në momentin e arrestimit, ai mbante veshur bluzën e bardhë të mjekut, të cilën kishte refuzuar ta lante që prej vrasjes së djalit të tij, Ibrahim, nga një sulm me dron pranë hyrjes së spitalit në tetor 2024.
Sipas PHRI, 14 mjekë palestinezë, mes tyre drejtues spitalesh dhe specialistë të fushave jetike, vijojnë të mbahen në burgjet izraelite pa akuza formale ose gjyq.
“Katërmbëdhjetë mjekë palestinezë mbeten të burgosur pa akuzë ose gjyq, në një kohë kur sistemi shëndetësor i Gazës ka nevojë të dëshpëruar për ta”, deklaroi Naji Abbas nga organizata.
Ndërkohë, Shërbimi i Burgjeve të Izraelit i ka hedhur poshtë pretendimet, duke i cilësuar ato si pjesë të një fushate më të gjerë për të diskredituar shtetin e Izraelit. Institucioni deklaroi se funksionon në përputhje me ligjin dhe nën mbikëqyrjen e vazhdueshme gjyqësore.
Familjarët e Abu Safiyas nuk kanë mundur të komunikojnë drejtpërdrejt me të që prej arrestimit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




