Milani do Tresoldi-n që në janar, Cardinale luan “kartat”! Në garë dhe Juventusi

Futboll Bota | 5 minuta më parë

Pengesë për sulmuesin e Club Brugge është çmimi prej rreth 50 milionë eurosh. Mbetet për t’u parë, nëse klubi belg do ta rritë shifrën, siç ka bërë më parë.

Për të siguruar Champions-in duhen gola dhe Milani ka në plan të hyjë në merkaton e sulmuesve pa pritur verën. Klubi kuqezi është hedhur në sulm për Nicolò Tresoldi, të cilin e do që në janar. Në verë Milani firmosi me Gonçalo Ramos për më shumë se 70 milionë euro, duke bërë blerjen më të shtrenjtë në historinë e klubit, por portugezi nuk e ka shëruar “sëmundjen” e golave te kuqezinjtë.

Defiçiti i golave i prishi jo pak punë Milanit sezonin e shkuar, duke e lënë jashtë Champions-it. Objektivi aktual është Tresoldi, sulmuesi i Bruges dhe Gjermanisë U-21, i kërkuar edhe nga Italia.

Në verë Bruges refuzoi 35 milionë euro nga Roma, kurse tani çmimi është rritur, pasi Tresoldi ka shënuar 13 gola në 15 ndeshje, plus 4 gola me Gjermaninë U-21. Pas 3 golave ndaj Interit në Europën e madhe, sulmuesi doli nga stadiumi i Milanos me topin në krah. Prandaj kostoja për blerjen e tij shkon në rreth 50 milionë euro.

Do të ishte një shpenzim i madh për Milanin, nëse arrin të firmosë me këtë sulmues, që mund të rritë nivelin personal dhe të skuadrës. Por Brugge mund të luajë me shifrat, duke e rritur çmimin. Pronari Cardinale po luan “kartat”, pasi këmbëngul që Tresoldi të jetë dyshe me Ramos në sulmin e Milanit. Nëse nuk ia del në janar, klubi kuqezi do të lërë gjithçka të hapur për në verë, por ështe e qartë se duhet të lëvizë shpejt, sepse në garë është futur edhe Juventusi. Përveç Sorloth, klubi bardhezi ndjek edhe Tresoldin.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme