Vendimet e KSHZ-së/ Caktohen 120 monitorues për zgjedhjet vendore 2027 dhe miratohet lista për referendumin në Poliçan

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) ka marrë një sërë vendimesh të rëndësishme në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 9 maj 2027, si dhe për mbarëvajtjen e proceseve politike e administrative në disa bashki të vendit.
Në fokus të mbledhjes ishte rritja e transparencës dhe monitorimi i rreptë i financimit të subjekteve zgjedhore gjatë fushatave. Për këtë qëllim, KSHZ vendosi caktimin e 120 monitoruesve, të cilët do të shtrihen në të gjithë territorin e vendit.
“Angazhimi i monitoruesve synon evidentimin dhe dokumentimin e veprimtarive të fushatës zgjedhore, me qëllim verifikimin e respektimit të detyrimeve ligjore nga subjektet zgjedhore dhe forcimin e transparencës në financimin e fushatave zgjedhore,” njoftohet në vendimin e KSHZ-së, ku shtohet se “shpërndarja e monitoruesve do të realizohet në mënyrë të tillë që të sigurojë mbulim sa më efektiv të territorit dhe monitorim të veprimtarive zgjedhore në të gjitha bashkitë e vendit.”
Përveç përgatitjeve për zgjedhjet e vitit 2027, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve mori vendim për plotësimin e dy vakancave të krijuara në këshillat bashkiakë:
“Mandati në Këshillin e Bashkisë Vau-Dejës iu dha kandidatit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, z. Frano Ndoja, ndërsa mandati në Këshillin e Bashkisë Vlorë iu dha kandidates së Partisë Socialiste të Shqipërisë, zj. Romina Lushaj.”
Ndërkohë, gjatë seancës publike të zhvilluar sot, vëmendje me rëndësi iu kushtua edhe kërkesës së grupit nismëtar për zhvillimin e një referendumi vendor në Bashkinë Poliçan. Pas verifikimit të dokumentacionit dhe nënshkrimeve të grumbulluara nga administrata e KQZ-së, kërkesa mori dritën e gjelbër ligjore.
“Pas verifikimeve të kryera nga administrata e KQZ-së, u konstatua se nënshkrimet mbështetëse të depozituara nga grupi nismëtar janë dorëzuar në përputhje me kërkesat e parashikuara nga ligji. Për rrjedhojë, Komisioneri vendosi pranimin e listës mbështetëse të nënshkrimeve për zhvillimin e referendumit vendor në Bashkinë Poliçan.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




