Romë/ Demo pritet nga homologu italian: Lehtësim të procedurave për shqiptarët në Itali

Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, zhvilloi një takim në Romë me homologun italian, Matteo Piantedosi, ku në fokus ishin forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e sigurisë dhe lehtësimi i procedurave administrative për qytetarët shqiptarë që jetojnë në Itali.
Një nga çështjet kryesore të diskutimit ishte Akademia e Sigurisë në Shqipëri. Palët shqyrtuan mundësinë e përafrimit të formimit profesional të punonjësve të Policisë me modelin italian, përmes përmirësimit të programeve mësimore, trajnimeve praktike dhe shkëmbimit të ekspertizës mes institucioneve të të dy vendeve.
Në tryezën e bisedimeve u diskutua edhe për marrëveshjet dypalëshe në fushën e sigurisë, të cilat, sipas palës shqiptare, ndodhen në fazën përfundimtare dhe pritet të firmosen në vijim.
Një tjetër çështje me interes të drejtpërdrejtë për komunitetin shqiptar në Itali ishte njohja automatike nga autoritetet italiane e certifikatave të lindjes të lëshuara nga gjendja civile shqiptare përmes portalit e-Albania. Kërkesa synon të shmangë procedurat shtesë për qytetarët që përdorin këto dokumente në Itali.
Bashkëpunimi mes policive të dy vendeve ishte gjithashtu pjesë e agjendës. Demo dhe Piantedosi diskutuan për shkëmbimin e informacionit në kohë reale, krijimin e skuadrave të përbashkëta hetimore dhe koordinimin për identifikimin dhe kapjen e personave në kërkim.
Takimi në Romë vjen në kuadër të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë, me objektiva që përfshijnë rritjen e kapaciteteve profesionale të Policisë, koordinimin kundër kriminalitetit dhe thjeshtimin e shërbimeve administrative për shtetasit shqiptarë që jetojnë në vendin fqinj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



